Aktualitet

“Jam Taulant Balla, më duhen 100 mijë euro”/ E njëjta skemë mashtrimi, ‘viktima’ të ndryshme!

Dy të rinj janë vënë sot në pranga nga policia e Tiranës, pasi kanë tentuar t’i marrin 100 mijë euro Armand Dukës, Kreut të FSHF, duke iu prezantuar si Taulant Balla.

Por ky nuk është rasti i parë kur të rinj përdorin këtë skemë për të zhvatur para nga biznesmenë.

Skema e mashtrimit që dyshohet se lidhet me Florian Gjergjin dhe një grup që vepron me të, është shfaqur në disa raste të tjera, me një mënyrë të përsëritur veprimi: përdorimi i emrave të personazheve të njohur për të krijuar besueshmëri dhe më pas kërkesa për shuma të mëdha parash.

 

Në rastet e raportuara, personat që vepronin në kuadër të skemës prezantoheshin si zyrtarë të lartë apo figura publike.

Në një prej rasteve, përdorej emri i kryebashkiakut të Vlorës, ndërsa në raste të tjera emra të njohur të politikës.

Kontakti bëhej përmes aplikacioneve të komunikimit dhe viktimave u kërkoheshin shuma parash, duke u krijuar përshtypjen se kërkesa vinte drejtpërdrejt nga personi që i shkruante.

Një nga rastet më të bujshme ishte përdorimi i emrit të Taulant Ballës.

Një biznesmeni iu dërgua mesazh nga një person që pretendonte se ishte Balla dhe i kërkoi 100 mijë euro, me argumentin se paratë do të merreshin nga një person i njohur i tij.

Kjo skemë dyshohej se lidhej me Florian Gjergjin.

Në një tjetër episod, grupi dyshohej se kishte tentuar t’i merrte një biznesmeni 100 mijë euro, ndërsa në rastin e vitit 2023 bëhej fjalë për persona që prezantoheshin si zyrtarë të lartë dhe kërkonin para në emër të tyre.

Skema shfaqet sërish në rastin e bërë publik sot, ku në shënjestër ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Dy të rinj dyshohet se e kontaktuan përmes një profili të rremë, duke përdorur emrin e Taulant Ballës, dhe i kërkuan 100 mijë euro. Fillimisht kërkesa ishte për pagesë në kriptomonedha.

Duka dyshoi për mashtrimin dhe njoftoi Policinë.

Në vijim u organizua dorëzimi i parave dhe një agjent i infiltruar iu prezantua të dyshuarve si djali i kreut të FSHF-së. Dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë në momentin kur po kryhej dorëzimi i shumës.

Ajo që bie në sy në episodet e raportuara ndër vite është përdorimi i përsëritur i emrave të personazheve të njohur si pjesë e skemës për të fituar besimin e viktimave.

Nga një kryebashkiak te një ministër dhe tashmë në rastin e Armand Dukës, emri i një figure publike përdoret si pikënisje e komunikimit dhe si mjet për ta bërë kërkesën për para më të besueshme.

Skema e sotme nuk dihet nëse lidhet ose jo me grupin e Florian Gjergjit./Tch