Aktualitet

Kryebashkiaku i Memaliajt merret zvarrë nga policia

Tensionet gjatë protestës kundër reformës territoriale kanë sjellë përplasje mes policisë dhe protestuesve. Në mesin e personave të përfshirë në incident ishte edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj.

Përplasjet mes forcave të policisë dhe protestuesve janë shoqëruar me tensione edhe me kryebashkiakun e Memaliajt, Albert Malaj.

Gjatë protestës së zhvilluar sot pranë xhamisë së Namazgjasë, Malaj është përfshirë në një përplasje me efektivët e policisë, ndërsa situata mes protestuesve dhe forcave të rendit ka qenë e tensionuar.

Në pamjet nga protesta, kryebashkiaku i Memaliajt shihet teksa përplaset me efektivët, ndërsa në disa momente policët e tërheqin zvarrë dhe i kërkojnë të largohet nga zona.

Incidenti është regjistruar në kuadër të protestës kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe shkrirjen e 15 bashkive.

Memaliaj është një prej bashkive që preket nga propozimi për bashkim me një tjetër njësi vendore. Banorët dhe përfaqësuesit lokalë kanë kundërshtuar ndryshimin e statusit administrativ të bashkisë.

Protesta e sotme është shoqëruar gjatë ditës me tensione të vazhdueshme dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa kundërshtarët e reformës kërkojnë që bashkitë që preken nga riorganizimi të mbeten të pavarura.