Mali i Zi ul më tej akcizën e naftës, në Shqipëri çmimi kërcen në 219 lekë/litri
Duke filluar nga 18 gushti, Mali i Zi ka nisur aplikimin e mjë akcize të reduktuar për karburantet. Qeveria njoftoi se akciza për karburantet do të ulet në 0,396 euro (0,460 dollarë) për litër, nga norma e saj e zakonshme prej 0,440 euro për litër. Akciza e re do të mbetet në fuqi deri më 31 gusht.
Ministria e Energjetikës njoftoi në një deklaratë të veçantë, se pas ndërhyrjes së qeverisë, çmimet me pakicë do të rriten me 0,06 euro, duke arritur në 1,88 euro për litër për karburantin dizel. Njëkohësisht, çmimi me pakicë i benzinës “Eurosuper 98” do të rritet me 0,07 euro, në 1,80 euro për litër. Këto tarifa do të jenë në fuqi gjatë javës së 18-24 gushtit. Ministria e Energjetikës do t’i përcaktojë çmimet për javën që fillon më 25 gusht bazuar në kuotimet e bursës së mallrave për një periudhë 7-ditore dhe në kursin e këmbimit dollar amerikan-euro.
Akciza e zakonshme për benzinën në Malin e Zi është 0,549 euro për litër.
Qeveria i uli për herë të parë përkohësisht akcizat për karburantet në fund të marsit, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së madhe të çmimeve globale të naftës pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit. Në atë kohë, ajo e uli akcizën për “Eurodiesel”-in me 50%, në 0,22 euro për litër, dhe e uli akcizën për benzinën “Eurosuper 98” dhe “Eurosuper 95” me 25%, në 0,41 euro për litër. Që atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për dizelin dhe benzinën, duke u përpjekur të përshtatet me luhatjet e tregut global të naftës.
Në muajin mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë mënyrën e rregullimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke shkurtuar përkohësisht periudhën kohore për përcaktimin e çmimeve nga 14 në shtatë ditë, duke mundësuar kështu një përafrim më të shpejtë të çmimeve vendase me koston e naftës në tregun global.
Ndërsa në Shqipëri, çmimi i naftës është rritur sërish, 1 litër naftë në tregun e pakicës shqiptarët po e blejnë 219 lekë. Para kësaj të mërkure ndryshimi i fundit i tabelave të karburantit ndodhi katër ditë më parë ku çmimi i naftës shkoi 215 lekë/L, ndërsa nga e mërkura nafta kushton 4 lekë më tepër. Ende nuk ka shenja për rikthimin e Bordit të Transparencës. /ekofin.al


