Mbi 2,100 aplikime për 300 kredi me 0% interes, ja si u shpërndanë kërkesat sipas institucioneve
Interesi për kreditë e strehimit me 0% interes ka qenë dukshëm më i lartë se numri i kuotave të ofruara. Në përfundim të afatit të aplikimeve, janë regjistruar 2,164 aplikime për 300 kredi të reja për blerjen e banesave nga punonjësit e administratës publike.
Të dhënat tregojnë se numrin më të lartë të aplikimeve e ka regjistruar Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me 782 aplikime, ndërsa në dispozicion të saj janë 70 kuota.
Pas saj renditet Ministria e Punëve të Brendshme me 448 aplikime, për 70 kuota, ndërsa Ministria e Arsimit ka regjistruar 444 aplikime, po për 70 kredi.
Ministria e Mbrojtjes ka marrë 415 aplikime, ndërsa kuota e përcaktuar për këtë strukturë është 70.
Në fund renditet Ministria e Drejtësisë, me 75 aplikime për 20 kuota të parashikuara për punonjësit e sistemit të burgjeve.
300 kredi, 2,164 aplikime Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale ka pasur 782 aplikime, ndërsa janë 70 kuota.
Ministria e Punëve të Brendshme me 448 aplikime për 70 kuota.
Arsimi, me 444 aplikime për 70 kuota. Edhe Mbrojtja ka 415 aplikime për 70 kuota.
Ndësa Drejtësia / Policia e Burgjeve ka pasur 75 aplikime për 20 kuota.
Në total, numri i aplikimeve është rreth 7.2 herë më i lartë se numri i kredive të disponueshme, duke e bërë të kufizuar numrin e përfituesve në raport me kërkesën e paraqitur.
Thirrja përfshinte 300 kredi me 0% interes, të financuara për blerjen e një banese. Financimi përcaktohet sipas çmimit të referencës, ndërsa sipërfaqja e banesës lidhet me përbërjen familjare, sipas certifikatës familjare.
Për të përfituar nga skema, aplikantët duhet të jenë të punësuar në administratën publike dhe të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga legjislacioni për strehimin social.
Ndër kushtet kryesore janë mungesa e një banese në pronësi ose një banesë nën normat e strehimit, kufizimet mbi pasuritë në pronësi dhe mospërfitimi më parë nga programe të tjera të strehimit social.
Aplikimet u kryen online përmes e-Albania.


