Aktualitet

Nga këshilltare në BKH në krye të Burgjeve, kush është Sadleva Bodo që do të zëvendësojë Adriatik Kupin (dhe takimi me Ramën para emërimit)

Sadleva Bodo pritet të jetë drejtoresha e re e Përgjithshme e Burgjeve, duke zëvendësuar Adriatik Kupin, i cili njoftoi dorëheqjen pas vetëm shtatë muajsh në detyrë.

Bodo vjen nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku prej pesë vitesh ka mbajtur pozicionin e këshilltares ligjore të drejtorit të këtij institucioni. Fillimisht ajo ka punuar me Aida Hajnajn dhe më pas ka vijuar të ushtrojë të njëjtën detyrë edhe nën drejtimin e Joni Ketës.

Por përpara karrierës në strukturat e posaçme të drejtësisë, Sadleva Bodo ka mbajtur një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme, në periudhën kur ky institucion drejtohej edhe nga Fatmir Xhafaj.

Sipas jetëshkrimit të publikuar në faqen zyrtare të SPAK, nga maji 2018 deri në gusht 2021, Bodo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme.

Në pesë muajt e parë të kësaj periudhe, ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, një prej figurave kryesore politike të lidhura me hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi.

Nga këshilltare në BKH në krye të Burgjeve, kush

Pas largimit nga Ministria e Brendshme në gusht 2021, Bodo kaloi në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku ka qëndruar deri tani.

Ndërkohë, sipas informacioneve të VNA-së, tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasues i Adriatik Kupit, Sadleva Bodo është takuar privatisht me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.

Takimi mësohet të jetë zhvilluar më 9 tetor, ndërsa nuk ka një njoftim publik mbi përmbajtjen e bisedës apo çështjet e diskutuara.

Përzgjedhja e saj shënon kalimin e një juristeje nga kabineti drejtues i BKH-së në administrimin e sistemit penitenciar, një prej sektorëve më të ndjeshëm të Ministrisë së Drejtësisë.

E lindur më 29 janar 1988, Bodo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Më pas ka ndjekur studime pasuniversitare në Wayne State University në Detroit, SHBA, dhe në Universitetin e Maastricht-it në Holandë.

Nga këshilltare në BKH në krye të Burgjeve, kush

Prej dhjetorit 2022, sipas CV-së zyrtare, ajo është edhe anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sadleva Bodo pritet ta marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën, më 14 tetor, duke u vendosur në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas dorëheqjes së Adriatik Kupit./VNA