Nga pr/ligji për sigurimet shoqërore te dëmshpërblimi për blegtorët, vendimet e Qeverisë
Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku miratoi një sërë vendimesh që prekin fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe sociale në vend.
Në fokus të diskutimeve ishin projektet për zhvillimin e territorit, mbështetja për fermerët dhe ndryshimet në kuadrin ligjor të sigurimeve shoqërore.
Qeveria vendosi të miratojë masën e dëmshpërblimit për pronarët e kafshëve të prekura nga murtaja e ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025.
Ky fond synon të mbulojë humbjet e blegtorëve, kafshët e të cilëve rezultuan pozitive ndaj sëmundjes infektive, bazuar në analizat rigoroze të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Vendimi vjen si një masë e domosdoshme për të lehtësuar barrën financiare mbi ekonomitë familjare rurale dhe për të garantuar vijueshmërinë e sektorit të blegtorisë.
Gjithashtu u miratuan ndryshime në rregulloren për funksionimin e stacioneve të plazhit, në prag të sezonit turistik veror. Një tjetër vendim ishte ngarkimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për realizimin e fazës paraprake të projektit “Parku i Besimit”.
Në mbledhje u vendos edhe krijimi i Fondit të Gjelbër të Pemëve, që synon zhvillimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu, qeveria dha mendimin e saj për projektligjin joqeveritar “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Njoftimi i qeverisë:
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 13.05.2026 si më poshtë:
Këshilli i Ministrave vendosi:
-Miratimin për përcaktimin e masës së vlerës së dëmit të dëmshpërblimit të pronarëve për kafshët e therura, të eliminuara, të shkatërruara, të groposura nga sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël në vitin 2025.
-Miratimin e Rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, të ndryshuar.
-Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për realizimin e fazës paraprake të projektit “Parku i Besimit”
-Krijimin, funksionimin dhe administrimin e Fondit të Gjelbër të Pemëve, në kuadër të zhvillimit të territorit e të hapësirave publike
-Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

