Opinion

Nga Vangjush Saro – Dilemat e shqiptarëve: Kush do të iki ?!

Unë e besoj hallin e atyre të rinjve që po protestojnë prej 4 muajsh dhe në këto ditët e fundit janë vënë në një ‘luftë’ të padrejtë me policinë e shtetit.Kemi një qeveri e cila nuk numëron dot se sa (shumë) njerëz ka nën hetim, ndërkohë që diametraliteti i jetës është i frikshëm, çmimet në rritje, komunikimi me qytetarët zero; bëhet me parulla: Jo po besa, jo po pasqyra… Kemi një opozitë të përçarë, që nuk arrin të ballafaqohet me këtë pushtet okult dhe nuk po e gjen dot veten. Ndërkohë, kemi dy liderë të cilëve u ka mbaruar ora, por nuk tërhiqen. Ç’të bëjnë djemtë dhe vajzat që i rritëm me shpresën se do ishte më mirë?

Dhe sado që mund të duket e habitshme, mendja na rri gjithnjë në këtë dilemë, në këto pikëpyetje që veç vuajtje shpërndajnë. Besoj, kjo është kështu për gjithë Shqipërinë, përfshi Diasporën. Të rrish, të ikësh, të kthehesh, të besosh që mund të ndryshojë ajo ‘botë’ mediokre, hileqare… Duket e vështirë. Por mbase nuk është e pamundur. Dhe mbase kjo protestë do ta tregojë.

Kush do ikë? Si i kemi punët? Gjatë protestave të këtyre ditëve – se ç’rrugë do të marrin ngjarjet, jemi të gjithë të shqetësuar – ka patur shumë protagonistë. Në mënyrë të veçantë, tërhoqën vëmendjen e publikut dhe të mediave dy figura të rinjsh: I pari, një djalë ng Gjirokastra, student në Drejtësi, bir i një gazetareje; i kërcënuar nga policët, ai u përpoq të reagonte duke ‘luftuar’ me nja pesë a gjashtë aso… në një shfaqje që do të turpëronte çdo qeveri, çdo polici. Portreti i tij u shfaq sërish në një shkrim të qëlluar të publicistit dhe përkthyesit A. Plasari; dhe nuk do t’i shtoja asgjë.

Po ashtu, bëri për vete publikun dhe mediat një vajzë nga Përrenjasi, që tash ndjek studimet Master dhe që pati një shpërthim në lidhje me atë që njerëzve, të rinjve, u ka ardhur në majë të hundës: Diametralitetin e jetës, përballë një kaste pa shpirt. Ndokush u përpoq ta ‘zvogëlonte’ atë vajzë, duke i treguar asaj se qysh punohet në Perëndim, si merret shtëpia me aq edhe kaq mund, etj. Mendoj se kushdo që nuk e ka kuptuar, bën  mirë të ndjekë një intervistë të saj me G. Dumën: Babai në Greqi, vëllai në Amerikë, motra nisur për në Gjermani… (“Si mund të gjesh kënaqësi në botë, nëse nuk e ke atë për strehë?” F. Kafka)

Në një shënim të mëparshëm, po në gazetën e nderuar ‘Telegraf’, kam folur për atë se çfarë përgjegjësish ka shteti ndaj qytetarëve të tij dhe se si ne vetë… ia mbathim nga sytë këmbët. Por kjo ishte drama e asaj vajze; është dramë e gjithë Shqipërisë. Dhe tani, hallet e njerëzve shkojnë në drejtim të kundërt me flirtet e kryeministrit. Nëse ti, zotëri,s’je transparent teksa fal laguna e ishuj për të forcuar pushtetin personal, nëse ti e ke mendjen vetëm të ndërtosh resorte e kulla për klanin, të bësh tregti të dyshimtë me iksin nga Izraeli, pastaj të çosh në të s’ëmës Portin e Durrësit me atë tjetrin nga Arabia, etj., të gjitha këto, e shumë të tjera, pa folur fare me popullin tënd, me këtë rininë që ka dalë në shesh, atëherë punët s’janë mirë. Njerëzit humbasin sigurinë, besimin; ose do ikin ata, ose do të bëjnë ty të ikësh… (“Herë-herë është e pamundur ta mbash brenda vetes rrjedhën e jetës.” P. Coelho)

Tani po u kthehem vajzave të mia, aktualisht të treja në punë shteti këtu në Kanada dhe, për më tepër, të pashqetësuara kurrë, për asgjë që ka të bëjë me politikë, me parti, me zgjedhje… Natyrisht, nuk është ndonjë meritë të kesh ndërtuar jetën tënde në një vend tjetër, më të përparuar, më të sigurt. Atje, të tjerë kanë punuar e janë munduar që të ketë ca rregulla, të ndiqen ca parime. Dhe nuk është parajsë; por le të kthehemi në temë. Unë e besoj hallin e atyre të rinjve që po protestojnë prej 4 muajsh dhe në këto ditët e fundit janë vënë në një ‘luftë’ të padrejtë me policinë e shtetit. Vajza ime e dytë punonte në një institucion privat, në Tiranë. E pushuan, pa asnjë shkak. Qëlloi në një kohë me pushimin tim nga puna në Dhomën e Tregtisë të Tiranës (!) Çfarë mund të ndreqja unë, për vete dhe për atë, megjithë miqtë që kam, por që – kjo është vërtet keq – nuk kam dashur e nuk dua t’u lutem. Pas disa kohësh, asaj ia pushuan nga puna edhe të fejuarin. (Kjo është hë për hë Shqipëria. Për fat të keq!)

Rrethanat e sollën që edhe ata të vinin në Kanada. Pa e zgjatur me plotësimin e studimeve dhe disa pozicione të tjera pune, tani ajo punon në një bashki, në profesionin e saj, planifikim urban; edhe i fejuari në një kompani private, gjithaq edhe ai në profesionin e tij. Ne mund të quhemi të realizuar. (“Jeta e kaluar mirë, është e gjatë.” Da Vinçi.) Por sytë e të gjithë emigrantëve janë në atdheun e tyre; ju siguroj për këtë. Askund nuk është si vendi yt. Mirëpo atje, për një shumicë njerëzish, vajza e djem, pa le pensionistët e shkretë, jeta nuk është kështu, ‘e gjatë’…

Gjithnjë vijmë anës të kuptojmë pse-në. Tani unë kujtoj, për bijat e mia, por edhe për gjithë sa janë sot në një shqetësim të tillë, një thënie të filozofit gjerman Hegel. “Historia, thotë ai, na mëson se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë asgjë nga historia.” Për të mos e tjerrur shumë gjatë, kujtoj se ne shqiptarët dolëm të fundit nga sundimi osman, kur popujt e tjerë kishin filluar tashmë të ndërtonin shtetet e tyre. Ne dhamë e morëm në shekuj të mbanim trojet, të bënim shtetin tonë. Por historia gjithnjë na ndëshkonte. Kjo ndodhte sa për faj të fqinjëve gërnjarë dhe të ashtuquajturave fuqi të mëdha – aty janë prapë ato – aq edhe për fajin tonë. Ka disa periudha të shekullit të shkuar që tregojnë se qasja jonë për shtet e për përparim, mbetet njëlloj lodre. Shtatë a tetë kryeministra u ndërruan në fillim të shekullit të 20-të, gjersa të merrte komandën Ahmet Zogu. Erdhën vitet ‘60 dhe ndryshe nga gjithë Blloku Socialist, ne të parët ia mbathëm andej, paçka se nuk ish më e mira, por… do të vinte më e keqja. Pas disa kohësh miqësie me Kinën, ne filluam të bënim ‘të vetëm në botë’ Socializmin (!) Pas ‘90-ës, zhytur herë pas here në luftëra politike e në kaos, planet tona për BE e për përparim gjithnjë shkatërrohen.

Çfarë po ndodh sot? Kemi një qeveri e cila nuk numëron dot se sa (shumë) njerëz ka nën hetim, ndërkohë që diametraliteti i jetës është i frikshëm, çmimet në rritje, komunikimi me qytetarët zero; bëhet me parulla: Jo po besa, jo po pasqyra… Kemi një opozitë të përçarë, që nuk arrin të ballafaqohet me këtë pushtet okult dhe nuk po e gjen dot veten. Ndërkohë, kemi dy liderë të cilëve u ka mbaruar ora, por nuk tërhiqen. (“Vlera shtrihet pikërisht në gjysmën e udhës mes trimërisë dhe burracakërisë.” Servantes.) Ku është në këtë mes e në këtë luftë qytetari? Ç’të bëjnë djemtë dhe vajzat që i rritëm me shpresën se do ishte më mirë?

Këtu jemi prapë në zgrip, të gjithë. E kemi më të lehtë të bëjmë ndonjë ‘luftë’ herë pas here, të shkatërrojmë, të lëmë kokrrën e namit, se sa të biem në një mendje për çfarë nuk po shkon mirë. Si tani… Duhet ta pohoj: sërish i kemi futur zjarrin vetes; me kokëfortësinë tonë, me moskuptimet tona, me egon e shfrenuar dhe trutë e mbetura në ca para të qelbura… Dhe sado që mund të duket e habitshme, mendja na rri gjithnjë në këtë dilemë, në këto pikëpyetje që veç vuajtje shpërndajnë. Besoj, kjo është kështu për gjithë Shqipërinë, përfshi Diasporën. Të rrish, të ikësh, të kthehesh, të besosh që mund të ndryshojë ajo ‘botë’ mediokre, hileqare… Duket e vështirë. Por mbase nuk është e pamundur. Dhe mbase kjo protestë do ta tregojë.