Politikë

Nuk ndalet Rama, sistemon motrën e Belinda Ballukut në post shtetëror

Një tjetër emërim në administratën shtetërore pritet të ngjallë debat për favorizimin e njerëzve pranë pushtetit. Pamela Qirko, motra e ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pritet të emërohet Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), pavarësisht se nuk rezulton të ketë përvojë në sektorin financiar. Emërimi vjen pasi ajo ishte një nga figurat e përdorura në procesin e vettingut në drejtësi, ndërsa motra e saj prej vitesh është në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive dhe shpërdorim të fondeve publike.

Sipas burimeve, Këshilli Drejtues i ASD-së pritet ta miratojë këtë muaj emërimin e Pamela Qirkos në postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme, pas propozimit nga drejtuesja e re e institucionit, Mina Kusta.

Pamela Qirko është juriste dhe nga viti 2017 deri në vitin 2023 ishte anëtare dhe më pas kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni kyç i procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas përfundimit të mandatit, ajo tentoi të emërohej gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, por kërkesa e saj u rrëzua këtë muaj.

Në CV-në e saj nuk rezulton ndonjë eksperiencë në sektorin bankar apo financiar, megjithatë kjo nuk duket se ka penguar avancimin drejt një posti drejtues në institucionin që administron skemën e sigurimit të depozitave bankare në vend.

Emërimi i saj vjen në një kohë kur motra, Belinda Balluku, vijon të jetë objekt i akuzave të vazhdueshme për korrupsion, abuzim me tenderët publikë dhe favorizim në kontratat e infrastructures, por që është marrë në mbrojtje nga Edi Rama, i cili ka bllokuar lejen për arrestimin e saj.

Në një situatë të tillë, duket se Balluku nuk ndalet dhe po sistemon edhe motrën e së saj në një tjetër post të rëndësishëm shtetëror si pjesë të një modeli shpërblimi dhe riciklimi të njerëzve të afërt me pushtetin.

Ndërkohë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave po përgatitet për ndryshime të rëndësishme ligjore që do të rrisin gradualisht kufirin e sigurimit të depozitave bankare, nga 2.5 milionë lekë në 6 milionë lekë në fazën e parë dhe, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, deri në nivelin prej 100 mijë eurosh, në përputhje me direktivat europiane. Në këtë fazë të rëndësishme për institucionin, emërimi i një drejtueseje pa eksperiencë në sektorin financiar pritet të shtojë diskutimet mbi kriteret reale që po ndiqen për drejtimin e institucioneve publike.