Pas “natës së ferrit” në Krujë, Rama publikon dëshmitë e banorëve: Mbrëmë këtu u ndje era e shtetit (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale dëshmitë e disa banorëve të Krujës, pas zjarrit masiv që përfshiu qytetin mbrëmjen e kaluar dhe rrezikoi banesa, biznese dhe jetën e qytetarëve.
“Shteti përballë zjarreve me zërin e njerëzve”, shkroi Rama krahas videos ku banorët falënderojnë forcat zjarrfikëse, Policinë, emergjencat civile dhe strukturat e tjera shtetërore për ndërhyrjen gjatë natës.
Një prej banorëve tregoi se kishte menduar se shtëpia e tij do të digjej, por ndërhyrja e forcave në terren bëri të mundur frenimin e flakëve.
“Po të mos ishin ata, jo vetëm shtëpia ime, por e gjithë lagjja do të ishte djegur. Ja bëftë Zoti hallall atyre zjarrfikësve, Policisë, emergjencës. Mbrëmë këtu u ndje era e shtetit”, tha ai.
Një tjetër banor e përshkroi situatën si një skenar apokaliptik.
“Zjarri këtu ishte si të ishte fundi i botës. Por shteti shqiptar ka qenë në gatishmërinë numër një. Puna që është bërë këtu na ka shpëtuar”, u shpreh ai.
Edhe një banore tha se ende nuk e besonte që banesa e saj kishte shpëtuar nga flakët.
“Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë, se këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, tha ajo, duke falënderuar zjarrfikësit, emergjencat civile dhe ekipet e helikopterëve që ndërhynë për shuarjen e zjarrit.
Banorët vlerësuan gjithashtu ndërhyrjen e Policisë dhe të strukturave të emergjencave, ndërsa një prej tyre falënderoi ministrin e Brendshëm për këmbënguljen për evakuimin e banorëve nga zona e rrezikuar.
“Nuk e kam besuar se do e gjeja banesën në këmbë prapë. Është bërë punë heroike. Janë heronj”, tha ai.
Zjarri në Krujë shkaktoi panik të madh gjatë natës, ndërsa flakët iu afruan banesave dhe bizneseve. Banorët u evakuuan nga zonat më të rrezikuara, ndërsa në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikës, forca policie, emergjenca civile dhe mjete ajrore.
Një tjetër banor deklaroi se ndërhyrja e strukturave shtetërore kishte qenë vendimtare për shmangien e një tragjedie.
“Falë ndërhyrjes së Komisariatit të Krujës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe bazës mbështetëse të helikopterëve, sot jemi gjallë dhe banesa është e paprekur”, u shpreh ai.


