Rama ndan mesazhin e emigrantit për zjarrin në Krujë: U bë gjithçka që mund të bëhej për shuarjen e flakëve
Kryeministri Edi Rama ka falënderuar pilotët e Forcës Ajrore, zjarrfikësit dhe trupat e Forcave të Armatosura dhe Policisë për angazhimin në shuarjen e zjarreve që prekën Krujën dhe zona të tjera gjatë ditëve të fundit.
Në një postim në Facebook, Rama vlerëson punën e forcave në terren, duke theksuar se aktualisht vetëm një vatër e izoluar vijon të jetë aktive në majën e Malit të Krujës.
Kryeministri ka publikuar edhe mesazhin e një emigranti nga Kruja, i cili jeton prej 30 vitesh në Belgjikë dhe shpreh mirënjohjen për ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e zjarrfikësve gjatë zjarrit masiv.
Mesazhi i plotë i Ramës:
Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës duke ia dalë me sukses një sfide të frikshme dhe nga Kruja në Kamëz, Tiranës dhe Vorës, luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues.
*Aktualisht, vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, por njëkohësisht mbeten burim krenarie e motivimi për trupat tona përgëzimet e mesazhet e panumërta të banorëve, ndër të cilët edhe ky mesazh:
“Źoti Kryeministër, une jam nga qyteti i Krujes emigrant prej 30 vitesh ne Belgjike se pari te uroj shëndet, se dyti dua tju faléderoj juve personalisht per mbështetjen me ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e qeverise ne tragjedinë e ndodhur dhe se treti djemt e zjarrfikëseve të Krujes, u bë gjithçka qe mund te behej per shuarjen e atij zjarri të paparë ndonjëherë. Me respekt.”


