Rikthehet drafti i Dhomës Kombëtare të Biznesit, anëtarësim automatik dhe tarifë vjetore deri në 70 mijë lekë
Qeveria po përgatit një ndryshim tërësor të mënyrës së organizimit dhe përfaqësimit të biznesit në Shqipëri. Projektligji i ri “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare” parashikon krijimin e një strukture të re kombëtare, ku pjesa më e madhe e subjekteve tregtare do të bëhen automatikisht anëtare dhe, pas përfundimit të periudhës tranzitore, do t’i nënshtrohen edhe një tarife të detyrueshme vjetore regjistrimi.
Projektligji synon të zëvendësojë sistemin aktual të dhomave të tregtisë dhe industrisë me Dhomën Ekonomike Kombëtare dhe Dhomat Sektoriale. Dhoma e re do të jetë person juridik i së drejtës publike dhe do të ketë funksione përfaqësuese, koordinuese, por edhe një sërë funksionesh e shërbimesh publike të deleguara me ligj.
Relacioni shpjegues argumenton se reforma synon të adresojë fragmentarizimin e sistemit ekzistues të dhomave dhe mungesën e një strukture të centralizuar koordinuese në nivel kombëtar. Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, synohet një sistem i unifikuar përfaqësimi, forcimi i dialogut mes biznesit dhe institucioneve publike dhe rritja e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve ndaj sipërmarrjes.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme për biznesin lidhet me anëtarësimin. Projektligji përcakton se çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar, me përjashtim të kategorive të përcaktuara posaçërisht në ligj, bëhet anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare “ipso lege”, pra automatikisht me fuqinë e ligjit. I njëjti rregull do të zbatohet edhe për bizneset e reja që regjistrohen ose aktivizohen pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Përjashtim bëjnë subjektet që kanë detyrim të regjistrohen ose anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë apo organizime të tjera të krijuara me ligj të posaçëm. Për këto kategori anëtarësimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare do të jetë vullnetar.
Por anëtarësimi shoqërohet edhe me një kosto të re për bizneset. Për administrimin dhe përfitimin e shërbimeve publike të deleguara, subjektet tregtare do të regjistrohen pranë Dhomës dhe do të paguajnë një tarifë vjetore. Detyrimi për pagesën nuk nis menjëherë: gjatë periudhës tranzitore bizneset do të kenë statusin e anëtarit pa paguar tarifën.
Pas kësaj periudhe, subjektet që nuk janë objekt i tatimit mbi fitimin do të paguajnë 1 mijë lekë në vit. Për bizneset e tjera tarifa do të caktohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare, duke marrë në konsideratë formën ligjore, madhësinë e ndërmarrjes, numrin e punonjësve dhe xhiron vjetore. Megjithatë, projektligji vendos një tavan: tarifa nuk mund të jetë më e lartë se 70 mijë lekë në vit. Edhe subjektet që regjistrohen për herë të parë në Regjistrin Tregtar do të paguajnë 1 mijë lekë për vitin e parë.
Pagesa do të kryhet nëpërmjet sistemit bankar, jo më vonë se 30 prilli i vitit pasardhës, ndërsa procedurat konkrete të mbledhjes së tarifës do të përcaktohen me akt nënligjor të Këshillit të Ministrave. Projektligji parashikon gjithashtu se mospagimi i tarifës vjetore do të konsiderohet kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë, masa e së cilës do të përcaktohet me akt nënligjor.
Dhoma e re do të marrë ndërkohë një portofol të gjerë funksionesh. Ndër të tjera, ajo do të bashkëveprojë me Qendrën Kombëtare të Biznesit për identifikimin, verifikimin, certifikimin dhe përditësimin e kodeve të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, do të mbështesë bizneset në procedurat e regjistrimit, do të lëshojë certifikata origjine jo-preferenciale, “Carnet ATA” dhe “Carnet TIR”, si dhe do të kryejë analiza ekonomike dhe statistikore.
Në kompetencat e saj përfshihet gjithashtu promovimi i markës kombëtare “Made in Albania”, ndërmjetësimi mes punëdhënësve dhe sistemit arsimor, mbështetja e tregtisë së jashtme dhe investimeve, si dhe përfaqësimi i interesave të sipërmarrjes në organet kolegjiale të shqyrtimit të ankimeve në fushën e inspektimit.
Sistemi i ri do të plotësohet me Dhoma Sektoriale, të organizuara sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë dhe nën drejtimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Numri dhe emërtimi i tyre do të miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës, me propozim të Dhomës Kombëtare.
Për ngritjen e sistemit parashikohet një fazë tranzitore. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, ministri përgjegjës do të krijojë një Komision të Përkohshëm Teknik me tre ekspertë, ndërsa kryetari i tij do të shërbejë si drejtues “ad interim” i Dhomës Ekonomike Kombëtare deri në përfundimin e tranzicionit institucional.
Zgjedhjet e para për Dhomat Sektoriale dhe Dhomën Ekonomike Kombëtare do të organizohen nga një Komision i Përkohshëm Zgjedhor me pesë anëtarë të pavarur. Në këto zgjedhje parashikohet të kenë të drejtë pjesëmarrjeje të gjitha subjektet tregtare aktive të regjistruara në Regjistrin Tregtar.
Ngritja e strukturës së re do të ketë fillimisht edhe kosto për buxhetin e shtetit. Relacioni e vlerëson koston paraprake të periudhës tranzitore njëvjeçare në rreth 15.4 milionë lekë, ku përfshihen funksionimi i Komisionit të Përkohshëm Teknik, administrata ndihmëse, pajisjet dhe infrastruktura teknologjike, si dhe organizimi i zgjedhjeve të para.
Vetë projektligji parashikon që gjatë tranzicionit Dhoma të mbështetet me transferta nga buxheti i shtetit, por kjo mbështetje duhet të jetë e përkohshme dhe, në çdo rast, nuk mund të vazhdojë më shumë se dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit. Më pas, struktura pritet të financohet kryesisht nga tarifat e regjistrimit, tarifat e shërbimeve dhe të ardhura të tjera të lejuara me ligj. /ekofin.al


