Aktualitet

Shkelësit “kapen” nga teknologjia, ministri Lamallari publikon pamjet e kontrolleve

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka ndarë pamje nga kontrollet në rrugë, ku teknologjia përdoret për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari thekson se, krahas qytetarëve, teknologjia është një prej aleatëve më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë rrugore.

Sipas Lamallarit, radarët, dronët dhe automjetet inteligjente mundësojnë monitorimin e vazhdueshëm të trafikut, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia. Me rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë nga viti në vit, rritet dhe qarkullimi i mjeteve dhe përgjegjësia jonë për garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Radarët, dronët dhe makinat inteligjente janë një sy i pagabueshëm dhe i përhershëm mbi trafikun, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që vënë në rrezik qytetarët. Me zbatimin e projektit #SmartCity do të bëjmë një kapërcim epokal për sigurinë rrugore dhe atë publike në tërësi në Shqipëri“, shkruan ministri.