Investigim

Skemat e Kipes me stadiumin e Kamzës – Sajon aneks sportiv për t’i dhënë firmës “Shëndelli” gjysmë milioni euro!

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, nga socialist i thekur po kthehet në një specialist, sidomos me tenderat me shumë zero, duke nxjerrë nga buxheti dhjetëra miliona euro, për t’ia dhënë disa firmave me të cilat po punon prej vitesh. Me një mbështetje të krerëve të PS-së, natyrisht nisur edhe nga buxheti i majmë, Kipja po kthehet dalëngadalë në një plaçkitës, duke përdurur skema të njohura këto për specialistët.

Vox News ka hulumtuar dokumente të reja dhe të vjetra për spostimin e Stadiumit të Kamzës nga qendra e qytetit për në Valias, për t’i hapur rrugën në atë vend ndërtimit të godinës së bashkisë së re. Nga ana tjetër, Kipja bëri fillimisht tender për ndërtimin e stadiumit, me një vlerë të konsiderueshme, dhe kur duhej që stadiumi të hapej, ai bën një tender të ri.

Kësaj herë synonte ndërtimin e një aneksi sportiv, ndërkohë që ka shtuar në preventiv edhe rrugën. Megjithatë, skema është shumë e njohur, pasi e njëjta firmë që mori disa miliona euro në vitin 2024, është shpallur fituese edhe në vitin 2026. Të jetë rastësi? Apo ndoshta Kipja mendoi që t’a shpërblente dhe të shtonte fondin? Apo mbaruan lekët dhe u sajua një tender i ri?

Skemat e Kipes me stadiumin e Kamzës – Sajon aneks sportiv për

Faksimile: Tenderi i Bashkisë së Kamzës për ndërtimin e rrugëve dhe të një fushe sportive në Valias 

Ditët e fundit, Bashkia e Kamzës ka finalizuar një tender të ri, ku fitues ka dalë BOE Shëndelli me 90 % të vlerës së punimeve dhe kompania Totila me 10 % të vlerës së punimeve.

Këto firma kanë fituar procedurën “ndërtim fusha sportive + parking dhe rrugë, Valias”, ku vlera ishte 63 milionë lekë, ndërkohë oferta ishte 40.5 milionë lekë. Nga 11 firma në garë, 5 u skualifikuan nga Kipja.

Skemat e Kipes me stadiumin e Kamzës – Sajon aneks sportiv për

Faksimile: Tenderi i vitit 2024 për ndërtimin e stradiumit në Valias, nga Bashkia Kamëz 

Dyshimet janë se e njëjta firmë që fitoi tenderin ka bërë punimet edhe në 2024-ën. Vox News ka analizuar tenderin e parë, ku rezulton se firma Shëndelli kishte rreth 53 % të punimeve në BOE-n që fitoi dy vite më parë.

Objekti i tenderit ishte “ndërtimi fushës së sportit Valias si dhe ndërtimi i godinës “Shkallarët” me një fond limit 221 milionë lekë dhe me kohëzgjatje 6 muaj. Punimet kanë vijuar përtej afatit, ndërkohë që paratë e tenderit të dytë do përdoren si “shpërblim”.

Në dokumentet e atëhershme, Shëndelli, Asi – 2A Co dhe Zdrava ofruan 204 milionë lekë, ndërkohë që kishte ofertë edhe 158 milionë, teksa disa kompani nuk bënë ofertë.

Skemat e Kipes me stadiumin e Kamzës – Sajon aneks sportiv për

Faksimile: Njoftimi i Bashkisë së Kamzës për hapjen e tenderit për godinën e re të bashkisë

Dy vite më parë, Bashkia e Kamzës bëri një tender me objekt “ndërtimi i parkimit me 1 kat nëntokë, objekti 3 kat i bashkisë dhe rehabilitimi i sheshit”. Fondi limit ishte plot 533.886.935 lekë. Godina e bashkisë po ndërtohet në fushën e stadiumit të vjetër në qendër të Kamzës, i cili u prish për t’u zhvendosur në Valias.

Një abuzim i pastër me pushtetin i Kipes, pasi godina e Bashkisë së Kamzës, ajo ekzistuesja, është tepër e madhe dhe me disa kate. Ndoshta fryrja e administratës ka sjellë nevojë për kapacitete të reja, por nëse do të kishte një studim ai do të ishte se si të vihen në punë njerëzit, punonjësit, dhe jo ëndrrat për zyra dhe stadiume të reja!/Voxnews.