Aktualitet

Strasburgu rrëzon 3 herë vettingun në Shqipëri për tre magjistratë

Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting dhe ka kërkuar rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem të magjistratëve Osmani, Kadana dhe Elezi.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dhënë 3 vendime në çështjet e ish-prokurorit Gentian Osmani, ish-gjyqtarit Izet Kadana dhe ish-prokurorit Ferdinand Elezi, ku i jep të drejtë këtyre të fundit lidhur me shkarkimet e tyre nga procesi i vetingut.
Avokati Eduard Halimi i cilësoi si 3 vendime historike sot nga Strasburgu për magjistratët shqiptarë: Sot, 23 qershor 2026, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Seksioni i Tretë) ka dhënë vendime në rastet:

– Osmani v. Albania (nr. 7780/20),

– Kadana v. Albania (nr. 50295/20)

– Elezi v. Albania (nr. 17141/21).

Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 dhe 6 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata (GJEDNJ) kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem.Urimet më të sinqerta për tre magjistratët të cilëve iu ndërpre padrejtësisht një karierë e ngritur me mund, përkushtim dhe sakrifica të mëdha. Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese të vendosë drejtësi, të rikthejë dinjitetin e tyre dhe të garantojë zbatimin e standardeve evropiane. Ata që i anatemuan dhe i linçuan publikisht, kanë minimumin detyrë morale të kërkojnë falje ndaj tyre dhe familjeve të tyre.