Studentët hodhën karriget në derën e Kryeministrisë, Rama u kërkon dialog me “gurë”
Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga kërkesa për dialog me studentë dhe pedagogë. Këtë të enjte Rama ka ndryshuar mënyrën se si u drejtohet protestuesve. Një ditë pasi të rinjtë thyen dhe hodhën drejt derës së Kryeministrisë karriget e vendosura si simbol i ftesës për dialog, kreu i qeverisë ka përdorur gurë ku shkruhet “Dialog”.
Zhvillimi vjen në ditën e dhjetë të protestave kundër qeverisë, ndërsa studentët, gjimnazistët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Një ditë më parë, protestuesit u mblodhën përpara Kryeministrisë, ku refuzuan sërish ftesën e Ramës për dialog. Ndërkohë, pedagogët kanë nisur bojkotin e mësimdhënies në universitetet publike, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në plotësimin e kërkesës për largimin e Ramës.


