Tavolina e dialogut para Kryeministrisë kthehet në atraksion për turistët, vizitorët ndalen për fotografi
Tavolina e dialogut e vendosur para godinës së Kryeministrisë në Tiranë po tërheq vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve, duke u kthyer në një pikë ku vizitorët ndalojnë për të realizuar fotografi.
Ajo që nisi si një simbolikë e ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët, tashmë është kthyer edhe në një element që zgjon kureshtjen e turistëve që vizitojnë kryeqytetin.
Të shumtë janë kalimtarët që ndalen pranë tavolinës së vendosur në hapësirën përpara Kryeministrisë, për ta fotografuar dhe për të ruajtur një kujtim nga vizita e tyre në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar më herët këtë hapësirë si një destinacion të ri turistik të kryeqytetit, duke publikuar edhe pamje të qytetarëve që fotografohen pranë saj.
Tavolina, e njohur si “Sofra e Dialogut”, u vendos në kuadër të ftesës së qeverisë për diskutime me studentët, në një kohë kur këta të fundit kanë ngritur shqetësimet dhe kërkesat e tyre përmes protestave.
Ndërsa debati për dialogun vijon të jetë pjesë e aktualitetit politik dhe studentor, tavolina ka fituar edhe një tjetër funksion: atë të një pike që tërheq vëmendjen e vizitorëve në qendër të Tiranës.


