Aktualitet

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë , në vigjilje te 18 vjetorit te Tij, kremton diplomimin e brezit të 15-të të studentëve

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë zhvilloi ceremoninë e diplomimit të brezit të 15-të të studentëve, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme të formimit të tyre akademik dhe nisjen e një rrugëtimi të ri profesional.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të themeluesit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili u përcolli të diplomuarve një mesazh për sfidat dhe përgjegjësitë që i presin përtej auditorëve.

“Sot ju dorëzojmë një diplomë. Nesër jeta do t’ju kërkojë të tregoni çfarë bëni me të. E ardhmja nuk do t’ju vijë e gatshme. Do t’ju duhet ta ndërtoni, me dije dhe disiplinë, me guxim dhe ndershmëri, me teknologji, por edhe me humanizëm, me ambicie personale, por edhe me përgjegjësi shoqërore”, tha Angjeli.

Të ftuar në këtë ceremoni ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi, të cilët përshëndetën të diplomuarit e brezit të 15-të.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, nënvizoi se brezi i ri po rritet në një kohë ndryshimesh të mëdha, kur formimi profesional duhet të shoqërohet me përgjegjësi qytetare dhe integritet.

“Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë beson se arsimi i lartë duhet të përgatisë profesionistë të zotë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm. Një shoqëri ka nevojë për njerëz që dinë, por mbi të gjitha për njerëz që dinë ta përdorin dijen me integritet”, tha Civici.

Ceremonia vijoi me dorëzimin e diplomave, duke kurorëzuar vitet e studimit dhe përkushtimin e të rinjve. Diplomimi i brezit të 15-të shënon një tjetër moment të rëndësishëm për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe për të diplomuarit që nisin tashmë një kapitull të ri në jetën e tyre.