Aktualitet

Zjarret në Shqipëri/ Katër vatra ende aktive në Dajt, Bulqizë, Mat dhe Skrapar, mbi 250 efektivë në terren

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku aktualisht janë raportuar 17 vatra, prej të cilave 4 vijojnë të jenë aktive, 2 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 11 janë shuar plotësisht.

Në terren janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë.

Vatrat aktive janë në Dajt, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe Therepel të Skraparit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë në terren.

“Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve. Sipas informacionit operacional të datës 01.09.2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 11 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Situata aktive paraqitet në Dajt, Vajkal, Lundre dhe Therepel. Në Dajt vijon puna në drejtim të Qafë-Priskës, me 68 forca, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës zjarri vijon në terren shkëmbor, me mbi 13 ha të përshkuara dhe 48 forca të angazhuara, pa rrezik për banesat.

Në Lundre, bashkia Mat, situata favorizohet nga era. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter.

Në Therepel, Skrapar, në operacion janë angazhuar forca të MZSH nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë, si dhe 1 helikopter i FA.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit–Prrenjas janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan ministria.