Histori

10 tetor 1972, krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Më 10 tetor 1972 shënohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e institucioneve shkencore shqiptare: themelimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me dekretin nr. 4993 të Presidiumit të Kuvendit Popullor u krijua institucioni më i lartë kërkimor-shkencor në vend, duke kurorëzuar përpjekjet shumëvjeçare për organizimin dhe zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Akademia e Shkencave u konceptua si qendra kryesore e studimeve, kërkimeve dhe mendimit shkencor kombëtar, duke bashkuar në një strukturë të vetme veprimtarinë e instituteve kërkimore të shkencave shoqërore, albanologjike, natyrore dhe teknike. Në këtë mënyrë u krijuan kushtet për një koordinim më të mirë të punës shkencore dhe për zhvillimin e projekteve madhore me rëndësi kombëtare.
Në përbërjen e parë të ASHSH, kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u mbajt më 25 janar 1973, duke shënuar edhe nisjen zyrtare të veprimtarisë së saj institucionale.

Akad. Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis themeluesve të saj spikatnin shkencëtarë të shquar si akad. Eqrem Çabej, akad. Mahir Domi, akad. Petrit Radovicka, akad. Kolë Popa, akad, Androkli Kostallari etj.

Gjatë dekadave që pasuan, Akademia e Shkencave u bë institucioni kryesor i kërkimit shkencor në Shqipëri. Nën drejtimin e saj u realizuan studime themelore në fushën e gjuhësisë, historisë, arkeologjisë, etnologjisë, letërsisë, si dhe në shkencat natyrore e teknike. Veçanërisht të rëndësishme mbeten kontributet në albanologji, ku u hartuan dhe u botuan vepra me vlerë të qëndrueshme për identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve.

Sot, më shumë se pesë dekada pas krijimit të saj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbetet institucioni përfaqësues më i lartë i kërkimit shkencor në vend, duke vijuar punën me projektet reformuese dhe përpjekjet e gjithanshme për të zhvilluar dijen, për të ruajtur trashëgiminë kombëtare dhe për ta lidhur kërkimin shkencor shqiptar me hapësirën akademike ndërkombëtare.