Aktualitet

102 ditë protesta, qytetarët sërish në rrugë/ Bllokohet qarkullimi para Kryeministrisë, vijojnë thirrjet kundër Ramës

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka hyrë këtë të mërkurë në ditën e saj të 102-të.

Si çdo pasdite, pas orës 19:00, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku nisën thirrjet kundër qeverisë, mes tyre “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë.

Përpara Kryeministrisë, protestuesit vijuan me thirrjet kundër qeverisë, ndërsa mbajtën edhe fjalime.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale.

Gjatë protestës, qytetarët kanë bllokuar gjithashtu qarkullimin e mjeteve në njërin krah të Unazës.

Ashtu si në protestat e mëparshme, pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës.