16 milionë euro pasuri konfiskohen në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, prona u përfituan përmes dokumenteve të falsifikuara
Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën turistike të “Ujit të Ftohtë”. Pasuritë kanë kaluar në pronësi të shtetit me vendim gjykate, pas hetimeve që zbuluan përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për përfitimin e tyre.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, për njohjen dhe kthimin e së cilës ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas regjistrimit të pronës në vitin 2009, janë kryer një sërë veprimesh juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë. Sipas organit të akuzës, këto veprime kishin për qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë.
Në këtë çështje, shtetasi me inicialet P.P. është dënuar me 7 vite burg për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata vendosi konfiskimin e pronës fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, si dhe të të gjitha pasurive të tjera që rrjedhin prej saj.
Në total, bëhet fjalë për disa prona me numra të ndryshëm kadastralë, vlera e të cilave arrin rreth 16 milionë euro. Të gjitha këto pasuri tashmë i kalojnë shtetit.


