615 milionë lekë për “ca letra”: OSHEE shpall fituesin me ofertën më të shtrenjtë
Një procedurë e re prokurimi e zhvilluar nga OSHEE Group sh.a, nën varësinë e ministrit Enea Karakaçi, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe konkurrencën e ndershme në tenderat publikë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-73462-12-29-2025, me objekt “Dixhitalizimin e arkivës historike të OSHEE Group sh.a”, ku fitues është shpallur operatori “ATOM”, në pronësi të Luan Bashës dhe Armand Agollit.

Vlera fituese e shpallur nga OSHEE është 51,325,000.00 lekë të reja (pa TVSH), ose rreth 615 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nga një llogaritje e thjeshtë matematikore, rezulton se fituesi ka ofruar rreth 93.6% të fondit limit (i cili ishte 54,806,666.00 lekë). Kjo përqindje kaq e lartë, ku vlera e kontraktuar është pothuajse e barabartë me tavanin e parashikuar nga shteti, shërben shpesh si sinjali i parë i mungesës së garës reale.
Hulumtimi i dokumentacionit të kësaj procedure nxjerr në dritë detaje që përforcojnë dyshimet për një fitues të paracaktuar. Edhe pse ligjërisht procedura është cilësuar si “e hapur”, realiteti i pjesëmarrjes tregon një tjetër histori:
- Pjesëmarrje fiktive: Në tender kanë marrë pjesë vetëm tre firma. Njëra prej tyre ka hyrë në procedurë thjesht për numër, pa paraqitur asnjë ofertë ekonomike, çka shpesh interpretohet si një manovër për të plotësuar kushtin e numrit të pjesëmarrësve pa rrezikuar fituesin.
- Skualifikimi i ofertës më të ulët: Fakti më skandaloz mbetet s’kualifikimi i firmës tjetër, e cila kishte paraqitur një ofertë ekonomike më të ulët se kompania “ATOM”. Në një garë të pastër, interesi i shtetit është të përzgjedhë shërbimin më cilësor me koston më të ulët, por në këtë rast, paraja e publikut nuk është kursyer.
- Argumentet për dyshim: Përzgjedhja e një oferte që është sa 93.6% e fondit limit, ndërkohë që ka pasur oferta më të lira në tavolinë, lë hapësirë për të besuar se kriteret teknike mund të jenë përdorur si “filtër” për të nxjerrë jashtë loje konkurrencën dhe për t’ia kaluar projektin 615 milionësh kompanisë “ATOM”.

Kjo praktikë, ku fituesi shpallet me vlerë maksimale dhe konkurrentët më të lirë s’kualifikohen me argumente teknike, është kthyer në një fenomen shqetësues për menaxhimin e parave të taksapaguesve në sektorin e energjisë, duke e kthyer arkivën historike të OSHEE-së në një “minierë ari” për operatorë të përzgjedhur.

