Zgjerohet gara për Prokurorin e Përgjithshëm, priten edhe kandidaturat e Ylli Pjetërnikajt dhe Arta Markut
Gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm pritet të zgjerohet, pasi përveç kandidaturave të depozituara tashmë nga Adnan Xholi dhe Rovena Zoto (Bozo), pritet të hyjnë në garë edhe emra të tjerë të njohur të sistemit të drejtësisë.
Gazetarja Anila Hoxha tha për emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën se priten kandidaturat e prokurorit Ylli Pjetërnikaj dhe ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, të cilët po vlerësojnë mundësinë për të garuar për drejtimin e institucionit më të lartë të akuzës në vend.
Deri më tani, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) kanë dorëzuar kërkesën për kandidim prokurori i SPAK, Adnan Xholi, si dhe prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Rovena Zoto (Bozo).

