A do të sekuestrohet avioni i Ermal Beqirajt? Përgjigja e kreut të SPAK, Braho: Kemi bërë kërkesë për të gjitha pasuritë e tij, nuk është vetëm avioni
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se procesi për sekuestrimin e pasurive të Ermal Beqirajt në Francë është në zhvillim e sipër.
I pyetur nga gazetarja sesi do ta kërkojë sekuestrimin e avionit që pilotonte Ermal Beqiraj, që nga të dhënat e mia rezulton se ishte në pronësi të këtij shtetasi, së bashku me një avion tjetër, Braho tha se kërkesa lidhet me të gjitha pasuritë që posedon personi nën hetim në atë shtet.
“Është një proces në zhvillim e sipër. Njoftimi do të dalë së shpejti. Kemi kërkuar të sekuestrohet çdo pasuri që posedon personi në fjalë në këtë shtet. Nuk ka thjesht avionë, por ka edhe pasuri të tjera”, u shpreh Braho.
Beqiraj u arrestua në Francë pas një kërkese ndërkombëtare të SPAK për dosjen “AKSHI”. Ai akuzohet për disa vepra penale, ndërsa autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.

