Politikë

“Rama n’burg, Berisha n’burg”/ Lideri i opozitës thirrje mbështetësve të PD: Kjo është lëvizja më e fuqishme dhe më jetëgjatë e kontinentit

Lideri i PD, Sali Berisha, u ndal sërish te protestat që zhvillohen në Tiranë.

Në një konferencfë me gazetarët, kreu demokrat i bëri thirrje të gjithë mbështetësve të PD që të vazhdojnë të jenë pjesë e këtyre tubimeve, pavarësisht thirrjeve “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

“Gjithashtu, duke përshëndetur protestën qytetare popullore për suksesin e saj të jashtëzakonshëm si lëvizja qytetare më e fuqishme dhe jetëgjatë e kontinentit, si lëvizja qytetare në të cilën çdo i ri dhe çdo qytetar dëshmon sakrificën e tij të madhe që e bën për vendin e tij dhe qytetarët shqiptarë.

Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur.

Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar.

Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor”, u shpreh Berisha.