Mazniku qetëson rilindasit kryengritës: Bashkitë që shkrihen do kenë nënkryetar
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka dalë në mbrojtje të nismës për riorganizimin e hartës së re të vendit, duke sjellë si shembull bashkimin e planifikuar të Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.
Gjatë shpjegimit të modelit të ri, ai ka siguruar se ky proces synon të ruajë funksionalitetin dhe përfaqësimin e zonave të integruara, pa cenuar aksesin e qytetarëve në institucione.
Sipas Maznikut, bashkitë që pritet të kalojnë nën administrimin qendror të bashkive të mëdha do të ruajnë nivelet e tyre të vendimmarrjes përmes drejtuesve të caktuar dhe strukturave të posaçme përfaqësuese, duke garantuar se zyrat lokale do të vazhdojnë të ofrojnë të njëjtat shërbime si më parë.
Ndryshimet administrative do të përqendrohen kryesisht te konsolidimi i buxheteve, planifikimi urban dhe menaxhimi i unifikuar i mjeteve dhe burimeve.

