Belinda Balluku mbërrin në SPAK
Belinda Balluku është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) rreth orës 13:50 për t’u njohur me akuzat ndaj saj. Pak më herët në SPAK kishte hyrë edhe avokati i saj, Ardian Kalia. Balluku është marrë zyrtarisht nën akuzë edhe për gjashtë lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës, pasi më herët ishte marrë e pandehur për lotin 4 dhe tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Paralelisht, SPAK po heton edhe një çështje tjetër për korrupsion dhe pastrim parash që lidhet me dy tenderë me vlerë mbi 1 milion euro të zhvilluar në periudhën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. Sipas akuzës, tenderët janë dhënë në kundërshtim me ligjin në favor të një kompanie ndërtimi, ndërsa pretendohet se në këmbim ajo ka përfituar ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme.

