Aktualitet

Çelësat” e Aviacionit Civil në duart e Athinës? Ja si e futi Belinda Balluku njeriun e tyre në zemër të sektorit strategjik

Një shtetas grek “lëviz fijet” në zemër të Aviacionit Civil shqiptar, një nga sektorët më të rëndësishëm strategjikë të vendit. Bëhet fjalë për Miltiadis Kotzageridis, i cili rezulton të jetë këshilltar i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil. Emri i tij del në një strukturë ku Belinda Balluku ka pasur një rol të drejtpërdrejtë politik ndër vite, fillimisht përmes drejtimit të sektorëve të lidhur me aviacionin dhe më pas si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dikaster që mbulon politikat e transportit ajror.

Fakti që një shtetas grek ndodhet pranë drejtimit të këtij institucioni ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë zgjedhur personat që marrin role në një fushë me rëndësi kombëtare. Aviacioni Civil nuk është një sektor i zakonshëm administrativ. Ai lidhet me kontrollin dhe mbikëqyrjen e transportit ajror, aeroportet, operatorët dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në këtë fushë. Rasti i Miltiadis Kotzageridis nuk është i vetmi episod ku emri i Belinda Ballukut është vendosur pranë diskutimeve për marrëdhëniet me interesa ekonomike greke.

Lidhjet e Ballukut me Athinën

Gazeta “SOT” e ka ngritur edhe më parë pyetjen se Belinda Balluku, është vetëm një teknokrate e ngjitur në majat e pushtetit falë besimit të Edi Ramës, apo një figurë që prej vitesh luan në prapaskenë në interes të rrjeteve ekonomike greke që kanë depërtuar në Tiranë? Faktet janë të shumta, sidomos pas shpërthimit të skandalit të tunelit të Llogarasë, ku dokumentet në duart e SPAK zbuluan një tjetër manipulim me procedurat e tenderit dhe përfshirjen e kompanive me prapavijë greke, të cilat dyshohet se kanë përfituar fonde publike përmes kontratave të dyshimta në bashkëpunim me firmat shqiptare.

E njëjta situatë u përfshi edhe me rastin e tenderit të dështuar në Porto Romano, ku Balluku nxori në mënyrë skandaloze fituese një kompani greke ku në fund i fali dhe garancinë 8 milionë euro. Po ashtu e dyshimtë është dhe marrëveshja me kompaninë greke Atlantic-See LNG Trade. Kjo marrëveshje e vendos Shqipërinë në pozitë të disfavorshme dhe kryekëput të varur nga interesat greke, të cilat përfaqësohen nga kompania Atlantic-See LNG Trade, ku kompania private greke Aktor ka 60 përqind të pronësisë dhe shteti grek  DEPA Commercial ka 40përqind të aksioneve. Kontrata e lidhur për furnizim me gaz të lëngshëm amerikan për 20 vite me vlerë 6 deri në 10 miliard euro.

Kjo kontratë është produkt i lojërave të Ballukut. Balluku nxitoi të firmoste memorandumin me Atlantic-See LNG (ku AKTOR ka 60%). Ajo i dha kësaj kompanie private greke ekskluzivitetin për të qenë furnizuesi kryesor i Shqipërisë për 20 vitet e ardhshme. Ndërkohë  dhjetëra biznese greke nën drejtimin e saj në Ministri, kanë  fituar tendera miliona euro siç ishte dhe rasti i Archidoron i Porto Romaos që përmendëm më lart. Nga kjo marrëveshje skllavëruese shqiptarët humbasin rreth 100 milionë euro në vit vetëm nga tarifat që merr kompania greke Atlantic-See LNG.Nga Greqia te AMC, fillimet e karrierës së Ballukut

Këto prapaskena mund të shpjegojnë se si Balluku u fut si me magji në PS nga Edi Rama duke pasur më vonë një ndikim të fuqishëm mbi vendimmarrjen në Partinë Socialiste. E themi këtë pasi ajo u kthye nga emigracioni në Greqi, në vitin 1999, pak para se kompania greke Cosmote të blinte kompaninë e vetme shqiptare të telefonisë mobile, AMC. Belinda bënte pjesë në stafin e Stefanos Oktapodas, drejtuesit të ekipit të Cosmote që erdhi në Shqipëri në kohën kur sapo ishte hapur tenderi shtetëror për shitjen e kompanisë AMC.

Sipas dëshmive dhe shkrimeve të publikuara vite më parë nga ish-drejtues të kompanisë greke OTE (Organizata Greke e Telekomunikacionit), Balluku ka qenë pjesë e stafit të AMC-së si menaxhere marketingu dhe komunikimi, ndërsa motra e saj, Pamela Balluku (tashmë Qirko), ka mbajtur pozicionin e drejtoreshës ligjore. Në vitin 2024, portali grek Newsbomb.gr botoi një artikull për karrierën e Belinda Ballukut, duke e cilësuar “një histori suksesi nga ndihmëse shtëpiake në Greqi deri në zëvendëskryeministre në Shqipëri”.

Në shkrim përmendej se Balluku kishte punuar dikur në Greqi dhe kishte ndërtuar një karrierë të shpejtë në politikën shqiptare, ndërsa përmendej gjithashtu edhe arrestimi i Evis Berberit dhe hetimet ndaj rrjetit të tenderave publikë dhe një përplasje me një kompani greke.

“Mata Hari” e Greqisë në Tiranë

Në këtë kontekst, një nga analizat më të komentuara është dhe ajo e publicistit të ndjerë Kastriot Myftaraj, i cili e cilësonte Belinda Ballukun si “Mata Harin e Greqisë në Shqipëri”. Me këtë metaforë, Myftaraj nënkuptonte aftësinë e Ballukut për të krijuar lidhje të fshehta dhe ndikim të fortë në qarqet politike dhe ekonomike, duke vepruar në prapaskenë për interesa të huaja si Mata Hari dikur në luftë.

Në artikullin e tij, Myftaraj paraqiste një version të historisë së hershme të Ballukut, duke përfshirë faktin që ajo kishte emigruar në Greqi me familjen në fillim të viteve ’90 dhe ishte punësuar në mënyrë modeste përpara se të kthehej në Shqipëri.

Sipas tij, lidhjet që ajo kishte krijuar me drejtues grekë të sektorit privat do të ishin trampolina për karrierën që vijoi më vonë në Tiranë, fillimisht në Bashkinë e kryeqytetit nën drejtimin e Edi Ramës, e më pas në AlbControl dhe Ministrinë e Infrastrukturës. Në të njëjtin shkrim, Myftaraj e konsideronte emërimin e saj si ministër të Infrastrukturës në vitin 2019 si një “gjest politik në drejtim të Athinës”, duke përforcuar perceptimin për një ndikim të fortë grek në qeverisjen shqiptare.