Bota

Tronditëse: Dy helikopterë përplasen në ajër në Greqi dhe shpërthejnë në flakë

Dy helikopterë u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në zonën e Psathës, në Greqi.

Sipas mediave greke, të dy helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës dhe po merrnin pjesë në operacionet ajrore për shuarjen e zjarrit.

Informacionet e fundit bëjnë të ditur se ekuipazhi i njërit prej helikopterëve është gjallë dhe ka arritur të komunikojë me autoritetet, ndërsa për ekuipazhin e mjetit tjetër nuk ka ende të dhëna.

Në të dy helikopterët pilotët janë me origjinë rumune, ndërsa koordinatorët e misionit janë grekë.

Helikopterët ishin marrë me qira nga Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë dhe secili kishte nga dy persona në bord.

Në vendngjarje janë dërguar katër autoambulanca të shërbimit të urgjencës dhe një njësi e lëvizshme mjekësore.