Kryebashkiakja socialiste “shpërthen” pas vendimit për shkrirjen e Bashkisë së saj: Do ketë protesta
Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka dalë hapur kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën territoriale, sipas të cilit 15 bashki do të shkrihen.
Memaj kundërshton bashkimin e Bashkisë që ajo drejton me Bashkinë Berat, ndërsa theksoi se kanë kaluar vetëm katër vite që kur njësia vendore mori emrin Bashkia Dimal.
“Në vitin 2021, në fund të prillit, mori emrin Bashkia Dimal. Shumë keq që dimaliotët të mos e gëzonin shtëpinë e tyre të re”, deklaroi ajo për A2.
Po ashtu, kryebashkiakja socialiste akuzoi se vendimi është marrë në mungesë transparence, pasi, sipas saj, treguesit e bashkisë që ajo drejton janë pozitivë.
“Si mund të shkrihet një bashki që tregon se ka rritje të popullsisë? Pse duhet të shkrihet një bashki që investon me të ardhurat e veta edhe sot?
Aq sa ka investuar Bashkia Dimal në këto vite, ka investuar edhe qeveria shqiptare aty.
Si do të ofrohen më mirë shërbimet nga Bashkia Berat, kur vetë distanca nga qendra është 23 kilometra”, u shpreh ajo?
Më tej, Memaj theksoi se Partia Socialiste nuk duhet të mjaftohet vetëm me mendimin e kryetarëve dhe këshillave bashkiakë, por duhet të marrë në konsideratë edhe mendimin e qytetarëve, të cilët kanë dalë në protesta.
“Duket se protestat do të vijojnë. Mendimi i qytetarëve duhet të dëgjohet”, tha Memaj.


