Aktualitet

Altin Dumani paditet në Itali/ Padia lidhet me një operacion…

Ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, është paditur në Itali nga kompania “Meral shpk”, në pronësi të familjes Cela, e cila e akuzon për shpifje dhe kallëzim të rremë.

Sipas medias italiane, padia lidhet me një operacion të zhvilluar në korrik të vitit 2025, kur autoritetet italiane, mbi bazën e informacionit të dërguar nga SPAK, sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona. Dyshimet ishin se këto pasuri ishin blerë me para të ardhura nga trafiku i kokainës.

Megjithatë, vetëm një muaj më vonë, gjykata italiane vendosi të heqë sekuestron dhe t’ua kthejë pasuritë pronarëve. Sipas vendimit të gjykatës, dokumentet e paraqitura nga kompania provonin se investimet ishin bërë me të ardhura të ligjshme dhe se anëtarët e familjes Cela nuk kishin precedentë penalë.

Pas këtij vendimi, kompania paditi në Itali kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke pretenduar se akuzat e ngritura ndaj saj i kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe të reputacionit.

Prokuroria e Veronës kërkoi mbylljen e çështjes, por gjyqtari italian Enrico Zuccon nuk e pranoi këtë kërkesë. Ai urdhëroi kryerjen e hetimeve shtesë për të verifikuar dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare dhe nëse SPAK kishte informuar ose jo autoritetet italiane për vendime të mëparshme që mund të binin ndesh me akuzat e paraqitura.

Në anën tjetër, mbrojtja e Altin Dumanit ka kërkuar pushimin e padisë, duke argumentuar se ajo është ngritur për ta penguar në hetimet që ai po zhvillon ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Në përfundim, gjykata italiane nuk pranoi as kërkesën e Prokurorisë së Veronës dhe as kërkesën e mbrojtjes së Altin Dumanit për pushimin e çështjes. Gjyqtari Enrico Zuccon urdhëroi vazhdimin e hetimeve, duke i lënë Prokurorisë edhe dy muaj kohë për të kryer verifikime shtesë mbi dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare. Pas përfundimit të këtyre hetimeve, gjykata do të vendosë nëse procedimi ndaj Altin Dumanit do të vijojë më tej apo do të pushohet.

Timoni.al