KLP zyrtarizon 5 kandidatët për postin e prokurorit të Përgjithshëm
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zbardhur emrat e kandidatëve që do të garojnë për postin e prokurorit të Përgjithshëm.
Në përfundim të afatit të aplikimit, KLP ka konfirmuar se në garë janë 5 kandidatë, të cilët kanë paraqitur kërkesën dhe dokumentacionin për të kandiduar për drejtimin e institucionit të akuzës.
Arta Marku rikthehet në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, një institucion që e ka drejtuar më herët si prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Aktualisht, Marku mban detyrën e prokurores në Prokurorinë e Apelit në Tiranë.
Pjesë e garës është edhe prokurori i Posaçëm Adnan Xholi, i cili ka qenë kandidat në dy përballje për drejtimin e SPAK dhe tashmë synon postin e prokurorit të Përgjithshëm.
Thirrjes publike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i janë përgjigjur gjithashtu prokurori i Tiranës, Ylli Pjetërnikaj, prokurorja e Tiranës Rovena Zoto dhe Fatjona Memçaj, prokurore pranë Eurojust.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për postin e prokurorit të Përgjithshëm, pasi mandati i prokurorit aktual Olsian Çela përfundon në dhjetor të këtij viti.
Prokurori i Përgjithshëm ushtron një mandat 7-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.


