Dr. Luljeta Kodra: Norma dhe praktika në të drejtën ndërkombëtare humanitare
Luljeta Kodra
Zv dekane e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane
Lektore në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike
Karta e Kombeve të Bashkuara përmban dy parashikime kryesore që përbëjnë thelbin e regjimit aktual ligjor për ndërhyrjet. Së pari, ajo nxjerr jashtë ligjit përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe së dyti i jep të drejtë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrë të gjitha vendimet dhe masat kolektive që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës në rastet e lejuara.

Sistemi aktual ndërkombëtar i sigurisë bazohet në koncepte të tilla si mosndërhyrja dhe barazia sovrane e shteteve, koncepte nga të cilat shtetet nuk kanë hequr dorë për shkak të stabilitetit që ato prodhojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje edhe në drejtim të rritjes së vlerësimit për të drejtat e njeriut dhe detyrimit të shteteve për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
A mund të konsiderohet e ligjshme mbrojtja e detyrueshme e të drejtave të njeriut në formën e ndërhyrjeve humanitare sipas të drejtës ndërkombëtare të sotme? A e mbështet praktika e ndërhyrjeve humanitare ligjshmërinë e ndërhyrjes?
Ndërsa nga njëra anë ideja e ndërhyrjes humanitare ka fituar vëmendje dhe përkrahje, pasi shtetet kolektivisht ose individualisht janë të gatshme të mbrojnë të drejtat e njeriut përtej kufijve të tyre, në situata ku strukturat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara nuk mund të reagojnë për arsye të ndryshme, mbetet një rrezik kritik që e drejta për ndërhyrje humanitare të përdoret në mënyrë abuzive nga politika më të forta.
Koncepti i ndërhyrjes humanitare ka evoluar duke u konsideruar në një farë mënyre si një shtesë për normat ndërkombëtare që rregullojnë përdorimin e forcës. Ai është zhvilluar si një koncept juridik dhe politik që diskutohet intensivisht si në nivel akademik ashtu edhe ndërmjet aktorëve politikë, me fokus mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Ndërhyrja humanitare është një koncept tashmë i pranuar gjerësisht, por në të njëjtën kohë shumë i debatuar. Ligjshmëria e ndërhyrjes humanitare sipas të drejtës ndërkombëtare është në pikëpyetje sepse ndërhyrja humanitare duket se kundërshton parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Por nga ana tjetër, zhvillimet në praktikën shtetërore kanë kontribuar në legjitimimin e ndërhyrjes humanitare në rrethana të caktuara. Mund të themi se praktika e ndërhyrjes humanitare ekziston në një hapësirë ndërmjet ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, hapësirë ku çdo rast praktik mund të jetë në përputhje ose në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Karta e Kombeve të Bashkuara përmban dy parashikime kryesore që përbëjnë thelbin e regjimit aktual ligjor për ndërhyrjet. Së pari, ajo nxjerr jashtë ligjit përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe së dyti i jep të drejtë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrë të gjitha vendimet dhe masat kolektive që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës në rastet e lejuara. Karta e Kombeve të Bashkuara i ngarkon Këshillit të Sigurimit përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit mund të ndërmarrë masa që i konsideron të nevojshme për këtë qëllim, duke përfshirë veprimet ushtarake kundër vendeve të tjera. Kjo kompetencë e Këshillit të Sigurimit u vendos si rezultat i mësimeve të nxjerra nga dy luftërat botërore, pas të cilave u mendua se agresioni i një shteti kundër një shteti tjetër duhet të përballet me përgjigje kolektive që përfshijnë përdorimin e forcës. Në këtë kuptim ndërhyrja e autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është e ligjshme, pasi është në përputhje me autoritetin e Këshillit të Sigurimit ndaj kërcënimeve të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ndalimi i përgjithshëm i përdorimit të forcës jashtë parashikimeve të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara shkakton vështirësi në vendosjen e normave dhe politikave për ndërhyrjen humanitare të paautorizuara nga Këshilli i Sigurimit. Prandaj ekziston gjithmonë një pikëpyetje mbi mundësinë e vendosjes së një të drejtë të përdorimit të forcës për qëllime humanitare, ndërkohë që ekziston një ndalim kaq i gjerë për përdorimin e forcës. Nëse pranojmë se e drejta ndërkombëtare ekzistuese, ndalon përdorimin e forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, me përjashtim të rasteve kur përdorimi i forcës autorizohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ose është i lejueshëm për arsye të vetëmbrojtjes së një Shteti, a mund të konsiderohet i ligjshëm përdorimi i forcës në formën e ndërhyrjes humanitare?
Duke marrë si bazë justifikimin politik dhe juridik që iu bë rastit më tipik të ndërhyrjes humanitare, që ishte ai i NATO-s në Kosovë, mund të themi se ajo ishte një ndërhyrje e paligjshme por megjithatë legjitime. Ky pozicion sugjeron që ideja e sovranitetit nuk është aq absolute siç zakonisht pretendohet. Vlera të tjera mund të jenë në situata të caktuara më të rëndësishme se respektimi i parimit të sovranitetit.
Pavarësisht debatit teorik që ekziston për ligjshmërinë e ndërhyrjes humanitare, nuk mund të anashkalohen të gjitha zhvillimet në praktikën e ndërhyrjes humanitare me qëllim mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave njerëzore. Kosova ishte rasti i parë, më i diskutueshmi dhe më i debatuari ku një grup shtetesh përdorën dhe justifikuan përdorimin e forcës kundër një shteti tjetër vetëm për arsye humanitare pa marrë autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk autorizoi përdorimin e forcës në Kosovë, por as nuk e dënoi atë. Pavarësisht përpjekjeve të disa anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të miratuar një rezolutë për të dënuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk i kundërshtoi këto veprime edhe pse ndërhyrja ishte në kundërshtim me rregullat në lidhje me përdorimin e forcës të parashikuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Ka autorë që pranojnë se përdorimi i ndërhyrjes humanitare në disa raste paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare për përdorimin e forcës. Ndërsa autorë të tjerë pohojnë se këto ndërhyrje nuk mund të konsiderohen si shkelje sepse shtetet kanë rikrijuar detyrimet e tyre ligjore rreth një parimi të ri ligjor. Duhet të pranojmë se praktika shtetërore ndikon në zhvillimin e të drejtës dhe kjo u bë e dukshme me progresin që bëri koncepti i ndërhyrjes humanitare. Megjithatë, pavarësisht të gjitha debateve në të drejtën ndërkombëtare, ideja e zbatimit të së drejtës ekzistuese mbetet e fortë në politikën ndërkombëtare. Shtetet vazhdojnë të jenë të bindura se duhet të zbatojnë të drejtën dhe jo ta shkelin atë.
Sovraniteti është një koncept i cili si në aspektin historik ashtu edhe në të tashmen shërben për të përcaktuar lirinë e shteteve për të zhvilluar në mënyrë të pavarur rendin e tyre të brendshëm dhe marrëdhëniet e jashtme. Ndërhyrja humanitare, e cila gjithmonë përfshin përdorimin e forcës kundër vullnetit të qeverisë së shtetit që preket nga ndërhyrja, pavarësisht nga motivi i veprimit, është në kundërshtim me nocionin e sovranitetit. Nga ana tjetër, Karta e Kombeve të Bashkuara, në preambulën e saj ripohon besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e njeriut dhe shpall respektimin e të drejtave të njeriut si një nga qëllimet e saj, duke kërkuar respektimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore.
Nuk mund të thuhet me siguri nëse shkelja e të drejtave të njeriut mund të justifikojë ndërhyrjen me forcë në një shtet tjetër. Gjithsesi zgjerimi i idesë për të drejtat e njeriut është një argument i fortë në favor të ndërhyrjes humanitare, sipas të cilit shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut duhet të ndëshkohen pavarësisht nga shteti, qytetarë të të cilit janë ata me të cilët abuzohet. Kontradikta kryesore ekziston ndërmjet zbatimit të sovranitetit nga njëra anë dhe nevojës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga ana tjetër.
Sovraniteti u shërben vlerave njerëzore dhe ata që kryejnë shkelje të mëdha të këtyre vlerave nuk mund të lejohen të fshihen pas konceptit të sovranitetit. Në dokumentin e titulluar “Një Axhendë për Paqen” Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Boutros Ghali deklaronte se koha e sovranitetit ekskluziv dhe absolut ka kaluar. Vite më vonë studiues të ndryshëm të së drejtës ndërkombëtare pretendojnë se edhe mbështetësit më të fortë të sovranitetit shtetëror duhet të pranojnë se asnjë vend nuk ka fuqi të pakufizuar për të bërë çfarë të dojë me popullin e tij.
Edhe pse ekziston një debat në të drejtën ndërkombëtare për ligjshmërinë e ndërhyrjes humanitare, nuk mund të mbështetemi vetëm në të drejtën e mosndërhyrjes siç e parashikon Karta e Kombeve të Bashkuara, sepse në këtë mënyrë nuk do të merreshin parasysh zhvillimet në praktikën e ndërhyrjes humanitare. Megjithatë, nuk ka akoma një konsensus mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes humanitare. Ligji mund të jetë jokoherent, por politikisht vazhdon të jetë në fuqi. Çështja e respektimit të detyrueshëm të të drejtave ndërkombëtare të njeriut është një çështje e vështirë sepse mbart tendencën e nxitjes së tensionit dhe konfliktit ndërmjet shteteve.


