“Ish-Këneta” ngrihet në protestë, banorët bllokojnë rrugën në Durrës: Përmbytjet përsëriten, nuk kemi marrë dëmshpërblimet
Banorë të zonës së Durrësit të Ri, e njohur ndryshe si Ish-Këneta, kanë protestuar mbrëmjen e sotme në Durrës për problematikat e shumta me të cilat përballen, ndërsa sezoni i reshjeve po afron.
Protestuesit kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin në rrugën “Vëllazërimi”, një aks i rëndësishëm që lidh qytetin me autostradën Durrës-Tiranë dhe është pjesë e unazës së qytetit.
Në qendër të protestës së tyre ishte mungesa e investimeve në infrastrukturë, e cila sipas banorëve vijon të shkaktojë përmbytje të përsëritura në zonë. Ata shprehen gjithashtu se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për pasojat e përmbytjeve të fundit.
Një tjetër problem i ngritur prej tyre është mungesa e ndriçimit publik në disa rrugë, ndërsa akset e paasfaltuara, sidomos në kushtet e reshjeve, kthehen në burim rreziku dhe vështirësojnë lëvizjen e banorëve dhe automjeteve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje konkrete në infrastrukturë përpara nisjes së sezonit të shirave dhe investime, duke paralajmëruar se problemet e përsëritura mund të rëndohen edhe më tej me reshjet e ardhshme.


