Çelik Petriti: Shkrimtarët nuk pinë një birrë, blejnë një libër; politikanëve ua dhurojnë dhe s’i marrin
Flet poeti dhe kritiku Çelik Petriti: Një kollare deputeti kushton sa 12 libra të bukur
- Politikanët flasin për luksin, shkrimtarët për librin
- Libri mbetet në raft, politika në lokale luksoze
- Një shoqëri pa libër është një shoqëri pa të ardhme
- Shkrimtarët në vështirësi, politikanët në luks
- “Para se tw blini një kostumi të shtrenjtë, blini një libër!”
- Libri po humbet terren, telefoni po fiton të rinjtë
- Telefoni të lidh me botën, libri me mendjen dhe shpirtin
- Politikanët larg librarisë, të rinjtë larg librit
Albert Z. ZHOLI
Libri dhe njerëzit e tij vazhdojnë të mbeten në një cep të shoqërisë, ndërsa luksi dhe politika zënë hapësirën kryesore. Shkrimtarët e poetët shpesh nuk kanë mundësi të blejnë as një birrë në pikun e vapës, ndërsa librat e tyre mbeten pa u blerë. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur librat u dhurohen politikanëve, por edhe atëherë ata nuk i marrin. Për këtë realitet, për fatin e librit dhe largimin e të rinjve nga leximi, bisedojmë me poetin dhe kritikun letrar Çelik Petriti, në një intervistë për Telegraf.al.

Zoti Çelik, ju jeni poet, kritik letrar, autor i disa librave dhe recensent i shumë veprave. Por ka një paradoks që bie në sy: në rrugë shohim shpesh politikanë të veshur shik e me kostume të shtrenjta, ndërsa rrallë i shohim në librari duke blerë libra. Pse?
Sepse libri, fatkeqësisht, nuk është bërë pjesë e luksit të tyre. Shkrimtarët dhe poetët rrinë pa pirë edhe një birrë në pikun e vapës, ndërsa politikanëve ua dhurojnë dhe ata nuk i marrin. Një kollare deputeti mund të kushtojë 100 euro, aq sa rreth 12 libra të bukur që ne i kemi nxjerrë. Ky është një paradoks i madh. Ne, njerëzit e librit, luftojmë që fjala të jetojë, ndërsa ata që kanë mundësi ta mbështesin kulturën shpesh janë shumë larg librarisë. Një kostum mund të ndërrohet, një kollare mund të zëvendësohet, por një libër i mirë mbetet gjatë në mendjen dhe shpirtin e njeriut.
-A keni pasur shokë politikanë?
Shumë rrallë, thuajse fare. Nuk kam pasur shumë miqësi me politikanë, sepse bisedat tona janë në kahe të ndryshme. Ata flasin për lokale luksoze, udhëtime, kostume, firma e interesa të tjera, ndërsa ne flasim për libra, letërsi, poezi dhe kulturë. Nuk them se të gjithë politikanët janë njësoj, por marrëdhënia e politikës me librin është ende shumë e dobët. Do të doja që një politikan të hynte në një librari jo vetëm për ceremoninë e promovimit të një libri, por të zgjidhte vetë një libër, ta blinte dhe ta lexonte.
Pra, mendoni se politika është larguar nga libri?
Në një farë mënyre, po. Dhe kjo është shqetësuese. Një shoqëri nuk mund të ecë përpara vetëm me beton, kulla, makina të shtrenjta e kostume firmato. Ajo ka nevojë edhe për libra. Pa kulturë dhe pa dije, zhvillimi mbetet vetëm në sipërfaqe.
Po të rinjtë? A janë larguar ata nga libri?
Fatkeqësisht, po. Interneti dhe rrjetet sociale po i marrin në qafë shumë të rinj. Telefoni është bërë shoku i tyre i pandashëm dhe libri po humbet terren. Por unë besoj se libri nuk mund të zëvendësohet. Kur e prek një libër, kur e hap, kur lexon faqet e tij, të mrekullon. Libri të jep një botë tjetër. Të mëson të mendosh, të ndiesh, të gjykosh dhe të ëndërrosh. Teknologjia mund të na japë informacionin me një klikim, por libri të jep thellësi. Prandaj, edhe në kohën e internetit, libri mbetet i pazëvendësueshëm.
Çfarë do t’u thoshit politikanëve dhe të rinjve për librin?
Politikanëve do t’u thosha: para se të mendoni për një tjetër kostum apo kollare të shtrenjtë, blini një libër. Është investimi më i lirë dhe më i dobishëm që mund t’i bëni vetes. Dhe të rinjve: mos e lini librin për telefonin. Mbajeni telefonin në dorë, por mbani edhe një libër në dorë. Sepse telefoni të lidh me botën, ndërsa libri të lidh me mendjen dhe shpirtin tënd.
Problemet e librit shqiptar cilat janë?
Libri shqiptar përballë mungesës së shpërndarjes, reklamës dhe lexuesit . Libri shqiptar sot përballet me një sërë vështirësish që po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e autorëve, botuesve dhe mbi të gjitha në kulturën e leximit. Një nga problemet kryesore është mungesa e një shpërndarjeje të gjerë gjeografike. Librat nuk arrijnë në çdo qytet e fshat të vendit, por kryesisht mbeten të përqendruar në qytetet më të mëdha. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e lexuesve nuk ka mundësi t’i njohë dhe t’i blejë veprat e autorëve shqiptarë. Një problem tjetër i madh është mungesa e reklamimit dhe promovimit. Shpesh në hapësirat publike, në media dhe në rrjetet sociale u kushtohet më shumë vëmendje librave të autorëve të huaj, ndërsa krijimtaria shqiptare mbetet në hije. Dhe lind pyetja: pse një libër i mirë i shkruar nga një autor shqiptar duhet të ketë më pak mundësi të promovohet dhe të shitet se një libër i huaj? Autorët shqiptarë përballen edhe me një tjetër vështirësi të madhe: koston e botimit. Në shumë raste, shkrimtari e financon vetë botimin e librit, duke paguar shtypshkronjën me të ardhurat e veta. Për një krijues me të ardhura të kufizuara, kjo është një barrë e rëndë ekonomike. Ai investon para, kohë dhe mund në një vepër, por pas botimit shpesh nuk ka një rrjet të sigurt shpërndarjeje dhe shitjeje. Kështu krijohet një paradoks: libri botohet, por nuk arrin te lexuesi. Shumë libra mbeten në magazina, në shtëpitë e autorëve ose përfundojnë duke u dhuruar, sepse nuk gjejnë treg. Ndërkohë, leximi në Shqipëri mbetet i kufizuar dhe libri nuk zë vendin që duhet të ketë në jetën kulturore dhe shoqërore. Veçanërisht problematike është situata për librin me poezi. Libraritë shpesh nuk pranojnë libra poetikë të autorëve shqiptarë, ndërsa edhe romanet e autorëve vendas hasin vështirësi për të hyrë në rrjetet e shitjes. Kjo e vendos krijuesin shqiptar në një rreth vicioz: nuk ka reklamë pa shitje, nuk ka shitje pa shpërndarje dhe nuk ka shpërndarje pa interesin e librarive.
Por çfarë ndodh me një shoqëri kur krijuesit e saj shkruajnë, botojnë dhe pastaj mbeten pa lexues?
Libri nuk është thjesht një produkt tregtar. Është pasuri kulturore, kujtesë kombëtare dhe pjesë e identitetit të një shoqërie. Prandaj mbështetja për autorin shqiptar nuk duhet të shihet si favor, por si një investim në kulturën kombëtare. Duhet një politikë më e organizuar për librin shqiptar: shpërndarje në të gjithë vendin, promovim më i madh në media, panaire dhe aktivitete kulturore edhe jashtë Tiranës, mbështetje për autorët e rinj, si dhe një bashkëpunim më i mirë mes botuesve, librarive, institucioneve kulturore dhe autorëve. Nëse vazhdojmë të botojmë libra që nuk shpërndahen, autorë që nuk reklamohen dhe vepra që nuk arrijnë te lexuesi, atëherë problemi nuk është vetëm i shkrimtarit. Është problem i kulturës shqiptare. Sepse një vend që nuk lexon autorët e vet, rrezikon të humbasë jo vetëm librat, por edhe një pjesë të kujtesës dhe shpirtit të tij.


