Alarm ushqimor te “Conad”! Gjendet trup i huaj në sallamin “Galbanetto”, AKU kërkon tërheqjen e menjëhershme
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka paralajmëruar konsumatorët shqiptarë për një produkt ushqimor që është futur në tregun vendas, pasi është sinjalizuar nga sistemi europian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).
Bëhet fjalë për produktin “SALAME GALBANETTO G230 c.a”, për të cilin autoritetet italiane kanë raportuar praninë e një trupi të huaj, duke e klasifikuar rastin me “risk serioz” për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas të dhënave të alertit me numër reference 12364615, produkti i prekur i përket lotit L.264173, me datë skadence 23/10/2026.
Produkti është eksportuar nga kompania Conad në Itali dhe ka hyrë në tregun shqiptar përmes Conad Albania.
Pasi Shqipëria është përfshirë zyrtarisht në ndjekjen e këtij alerti, AKU u bën thirrje konsumatorëve që kanë blerë këtë produkt, ose e kanë ende në shtëpi, të mos e konsumojnë.
Autoriteti kërkon që produkti i dyshuar të kthehet pranë pikës së shitjes ku është blerë, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik i mundshëm për shëndetin./replika.al



