“Mund të ndihesh e llastuar si në hotel”, emaili që zbulon luksin e vilës së sekuestruar të Ballukut: Me 2 vaska hidromasazhi!
Zbardhen detaje nga dosja e SPAK për Belinda Ballukun dhe vilën luksoze në Palasë që iu sekuestrua një ditë më parë, të përfituar në mënyrë korruptive.
Komunikimet e vitit 2020, të përfshira në dosje, hedhin dritë mbi mënyrën se si projektohej dhe pajisej vila luksoze e Ballukut.
Në një email të datës 14 shtator 2020, biznesmeni Alban Eftimi i përcjell Ballukut ndërhyrjet që po bënin në vilën që ishte në ndërtim e sipër.
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë. Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini). Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”, thuhet në email.
Katër ditë më vonë, Eftimi i dërgon Ballukut edhe dokumentin “Vilat binjake Palasë”, ku përfshihen planimetritë dhe projektet e dy vilave.
Dokumenti përbëhet nga 11 fletë, ku në fletën e parë gjendet shënimi “Vilat binjake Palasë”, ndërsa në të tjerat planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave.
Sipas hetimeve të SPAK, vila është ndërtuar fillimisht deri në fazën e karabinasë me investimin e Igli Tares.
Punimet e mëtejshme janë marrë përsipër nga biznesmeni Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”. Kjo kompani ka fituar tenderin për lotin 7 të Unazës së Madhe.


