Opinion

Frank Shkreli: Nga Washingtoni në Bruksel, Shqipëria ka përpara një mundësi që kërkon vendim, jo më shumë justifikime

Mos e humbisni këtë moment historik

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe mesazhi i saj për Shqipërinë nuk duhet të trajtohen si një tjetër episod diplomatik. Ato janë një sinjal politik: Evropa është më afër, por dera nuk hapet vetëm me deklarata.

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe mesazhi i saj për Shqipërinë nuk duhet të trajtohen si një tjetër episod diplomatik. Ato janë një sinjal politik: Evropa është më afër, por dera nuk hapet vetëm me deklarata.

“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen. Tani Shqipëria duhet të tregojë nëse ka vullnetin, kapacitetin dhe seriozitetin për ta arritur atë objektiv. Kohët e fundit, zyrtarja e lartë evropiane vizitoi Shqipërinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me synimin për të ndihmuar ato vende në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kjo, paraprakisht, dhe përball 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetorit, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjërimin dhe reformat e brendshme.

Nuk besoj se fjalët e von der Leyen të jenë vetëm një frazë diplomatike, kësaj rradhe. Është një moment që duhet marrë seriozisht. Shqipëria është më pranë Evropës se kurrë më parë. Por, pikërisht, për këtë arsye nuk duhet të humbasim kohë. Tani nuk mjafton më të themi se jemi evropianë.  Shqiptarët e kanë deklaruar orientimin e tyre perëndimor në mënyra të ndryshme për më shumë se tri dekada.  Shqiptarët, ndryshe nga elitat e tyre politike të këtyre 35-viteve tranzicion i pafund, kanë dëshmuar ndjenjat e tyre pro-perëndimore me votën, me sakrifica, me emigrimin, me lidhjet familjare e kulturore me Perëndimin, me mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe me dëshirën për të ndërtuar një shtet demokratik pro-perëndimor pas shëmbjes së komunizmit zyrtar. Por pas më shumë se tri dekada reformash, negociatash dhe pritjeje, retorika pro-evropiane e Tiranës zyrtare, nga të dy partitë kryesore, nuk mjafton më.

Nëse Shqipëria duhet të ndërtojë shtetin që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë drejtësi të pavarur, zgjedhje të besueshme dhe të pa kontestueshme, luftë të pakompromis kundër korrupsionit, media të lira, administratë profesionale dhe institucione që respektojnë qytetarin, pronën dhe ligjin. Këto nuk janë kërkesa të tepërta të Brukselit. Janë kushtet minimale që kërkohen nga një shtet normal funksional. Mesazhi evropian është i qartë. Përparimi i bërë deri tani, vlerësohet, por nuk mjafton.

Nëse Shqipëria duhet të ndërtojë shtetin që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë drejtësi të pavarur, zgjedhje të besueshme dhe të pa kontestueshme, luftë të pakompromis kundër korrupsionit, media të lira, administratë profesionale dhe institucione që respektojnë qytetarin, pronën dhe ligjin. Këto nuk janë kërkesa të tepërta të Brukselit. Janë kushtet minimale që kërkohen nga një shtet normal funksional. Mesazhi evropian është i qartë. Përparimi i bërë deri tani, vlerësohet, por nuk mjafton. Reformat duhet të zbatohen, të maten dhe të prodhojnë rezultate. Nuk ka më vend për vetëkënaqësi, propagandë të flliqt apo përpjekje për ta shitur çdo hap procedural si sukses historik.  Integrimi nuk matet me flamuj, fotografi me udhëheqës perendimorë, madje edhe me pagesë, dhe konferenca shtypi. Integrimi i vërtetë matet me mënyrën se si funksionon drejtësia, si zhvillohen zgjedhjet, si kontrollohet pushteti dhe si mbrohet qytetari në Shqipëri. Sepse ndërsa kryeministri shqiptar flet në kancelaritë europiane për një Ballkan që duhet të afrohet sa më shpejt me Bashkimin Europian, në Tiranë për disa muaj, zhvillohen protesta të vazhdueshme kundër mënyrës së qeverisjes aktuale.  Ajo që nisi më 30 maj të këtij viti, me kundërshtimin ndaj projekteve të mëdha turistike është zgjeruar tani në një revoltë më të gjerë politike dhe qytetare. Protestuesit kërkojnë llogari, përgjegjësi, hetim të akuzave për korrupsion dhe, gjithnjë e më shumë, dorëheqjen e kryeministrit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Shqipëri që Europa nuk duhet ta shohë vetëm nga larg. Protestat tre-mujore qytetare janë një mesazh politik që duhet të dëgjohet nga klasa politike shqiptare dhe mos të injorohet nga Evropa dhe as nga Shreret e Bashkuara. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf

 

Evropa nuk është dekor politik as Bashkimi Evropian nuk është një organizatë e përsosur shtetesh. Megjithkëtë, ai ent evropain përfaqëson shtetin ligjor, përgjegjësinë institucionale, transparencën, kontrollin mbi pushtetin dhe demokracinë funksionale. Nëse këto standarde nuk bëhen realitet në jetën e përditshme në Shqipëri, “mbyllja e kapitujve të negociatave” do të mbetet një arritje teknike dhe jo një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Duke pasur parasysh gjëndjen kritike politike në Tiranë, ky moment historik kërkon arritjen e një marrëveshjeje të re politike ndërmjet partive politike rreth disa objektivave konkrete, për të hapur derën  njëherë e mirë drejtë antarësimit përfundimtar të Shqipërisë në BE. Për një drejtësi pa ndërhyrje nga politika, për zgjedhje pa manipulim, për institucione të pavarura, për një administratë pa militantizëm, për një luftë reale kundër korrupsionit dhe transparencë në përdorimin e pushtetit dhe të financave publike.  Kërkon gjithashtu diçka që politika shqiptare pozitë-opozitë, pa dallim, e ka shmangur vazhdimisht, e që është pranimi i rregullave që kufizojnë pushtetin

Prandaj, politika shqiptare duhet të heqë dorë njëherë e mirë, nga një keqkuptim i rrezikshëm se integrimi evropian nuk është projekti i një qeverie, partie apo lideri. Është dhe duhet të jetë një zgjedhje strategjike kombëtare. Asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë proces as këtë projekt, por gjithashtu asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta pengojë procesin e integrimit për interesa të ngushta politike ose partiake. Por edhe Evropa duhet të jetë e vetdijshme se procesi i integrimt të Shqipërisë nuk mund të arrihet vetëm me një krah të politikës shqiptare. Shtetet e Bashkuara mbeten partneri i Kombit shqiptar, i pa zëvendësueshëm, për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndërsa Bashkimi Evropian është hapi i radhës për ta shndërruar këtë orientim në standarde politike, ekonomike dhe institucionale. Nga Washingtoni në Bruksel, rruga është e qartë. Ajo që mungon nuk është drejtimi, por vendosmëria e klasës politike shqiptare për të ecur drejtë këtij objektivi të madh mbarë-kombëtar “në horizont”, sipas deklaratës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë.  Duke pasur parasysh gjëndjen kritike politike në Tiranë, ky moment historik kërkon arritjen e një marrëveshjeje të re politike ndërmjet partive politike të Shqipërisë rreth disa objektivave konkrete, për të hapur derën  njëherë e mirë drejtë antarsimit përfundimtar të Shqipërisë në BE. Për një drejtësi pa ndërhyrje nga politika, për zgjedhje pa manipulim, për institucione të pavarura, për një administratë pa militantizëm, për një luftë reale kundër korrupsionit dhe transparencë në përdorimin e pushtetit dhee të financave publike.  Kërkon gjithashtu diçka që politika shqiptare pozitë-opozitë, pa dallim, e ka shmangur vazhdimisht, e që është pranimi i rregullave që kufizojnë pushtetin. Standardet evropiane nuk janë të dobishme vetëm kur kritikojnë kundërshtarin. Ato vlejnë edhe kur kërkojnë llogari nga qeveria, kur mbrojnë të drejtat e opozitës, kur garantojnë kritikën dhe ndalojnë abuzimin me institucionet e shtetit.   Shqipëria nuk mund të presë që Brukseli ta ndryshojë atë, për të bëlrë të mundur antarsimin. Janë shqiptarët ata që duhet t’a ndryshojnë Shqipërinë. Kjo do të thotë se qeveria duhet të zbatojë reformat e nevojshme, opozita të ofrojë alternativa dhe institucionet të veprojnë pa frikë nga pushteti politik. Do të thotë, gjithashtu, që shoqëria civile, media dhe qytetarët të mos mjaftohen me duartrokitje apo ankesa, por të kërkojnë afate, rezultate dhe përgjegjësi ng Kuvendi dhe nga politika në përgjithsi.

Mundësia është reale për antarësim, por nuk është e pakufishme. Ajo mund të humbasë në luftërat e vogla politike, në retorikën boshe dhe në protagonizmin e liderëve. Mund të humbasë edhe nga lodhja e një shoqërie që ka pritur gjatë dhe nga një klasë politike që është mësuar të premtojë më shumë sesa zbaton.  Prandaj ky moment kërkon veprim të menjëhershëm, jo një tjetër cikël premtimesh boshe.  Qeveria duhet të publikojë një plan të matshëm për reformat, me afate dhe përgjegjës konkretë.  Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë ligje që forcojnë institucionet, jo pushtetin e radhës të një lideri ose partie politike. Opozita duhet ta trajtojë integrimin si interes kombëtar, jo si armë propagandistike.  Institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë rezultate të prekshme. Dhe qytetarët duhet të kërkojnë llogari për çdo premtim të pambajtur.Siç thashë më lartë, orientimi perëndimor i shqiptarëve është prej kohësh një zgjedhje historike. Nga Frank Shkreli – Kur historia trokiti në derë: “Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?” | Gazeta Telegraf. Tani orientimi i deritanishëm pro-perëndimor, duhet të bëhet realitet institucional dhe i përditshëm. Jo vetëm në dokumente e ligje që nuk zbatohen, por në vendimet e gjykatave, në administratë, në zgjedhje, në ekonomi, lirinë e shtypit dhe, sidomos, në marrëdhënien e shtetit me qytetarin. Nga Washingtoni — Frank Shkreli: Amerika dhe shqiptarët, një miqësi që nuk njeh kohë | Gazeta Telegraf — në Bruksel. Nga aleanca te anëtarësimi, nga ëndrra te konkretizimi, Shqipëria ka përpara një rrugë të qartë, me një objektiv, “në horizont”. Por rruga nuk përshkohet vetëm me fjalë.  Unë u garantoj se Evropa nuk do të vijë ta ndërtojë Shqipërinë. Shqipëria duhet të ndërtojë veten, për antarësim  dhe integrim në Evropë. Dhe këtë duhet ta bëjë tani.  Është koha që orientimi perëndimor i shqiptarëve, i shprehur dhe i dëshmuar për më së një shekull, më në fund, të konkretizohet, në një Shqipëri, anëtare e Bashkimit Evropian, me vlera evropiane. Ky nuk është vetëm një objektiv politik. Është një moment historik për Kombin shqiptar. Mos e humbisni!