Aktualitet

Masakër mjedisore në lumin Shkumbin, të përfshira institucionet e shtetit?

Nga Fiks Fare/ Një sipërfaqe tepër e madhe, buzë lumit Shkumbin, në fshatin Kurtaj në Peqin, po gërryhet dita-ditës për inerte.

Kamera e Fiks Fare filmoi dhjetëra kamionë dhe ekskavatorë, teksa çuditërisht asnjë institucion kontrollues, policia, IKMT apo IMT e Bashkisë Peqin, nuk e kishte konstatuar.

Në momentin që Fiksi shkon në vend dhe njofton policinë, një patrullë policie vjen me shumë ngadalë dhe nuk ndalon personat që po tentonin të largonin mjetet e rënda. Automjeti i tyre kalon ngjitur me patrullën e policisë dhe nuk ndalohet.

Grupi i Fiks Fare udhëton në fshatin Kurtaj, Peqin, pas informacioneve se buzë lumit Shkumbin, në tokë arë, po gërryhej nga automjete të tonazhit të rëndë. Zona nuk është në lumë, por në një tokë bujqësore anës lumit, ku personat kanë gërryer disa hektarë, duke marrë zhavorr. E gjithë zona ngjason me një krater të madh, jo nga bombat, por nga dora dhe makineritë e njeriut. Fiksi filmon me dron automjetet e rënda që mbushen në atë vend dhe i dërgojnë inertet disa metra më larg, në një kantier të stërmadh të mbushur me inerte, që tashmë ngjason me një mal të madh. Janë me dhjetëra mjete që mbushen.

Pas këtij konstatimi, grupi i Fiks Fare shkon në atë vend. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda, sapo shikojnë grupin, largohen me shpejtësi. Kamionët ikin pa ngarkuar dhe të gjithë ndërpresin punimet. Në atë vend qëndron vetëm fadromisti, teksa Fiksi tenton që t’a pyesë. Ai thotë se tani ka filluar dhe nuk preferon të filmohet. Mbulon fytyrën dhe thotë se “me mua e gjetët”. Më pas largohet me vrap, ku grupi i Fiksit e ndjek por ai largohet me shpejtësi.

Disa çaste më vonë, në atë vend mbërrin një mjet i zi, me 4 persona brenda, të cilët pyesin gazetarët se çfarë po bënin. Ata thonë se janë banorë të zonës dhe s’kanë lidhje dhe ndoshta pronarët mund të bëjnë punime për autostradën. Fiksi u kërkon që të flasin me pronarët, kush janë, dhe nëse kanë leje të vijë se po i presin. Më pas, Fiksi filmon kraterin e gërryer, mbi 10 metra thellësi dhe disa hektarë, ku filmojnë dy ekskavatorët e mbetur në atë vend, pasi kamionët largohen. Në këtë moment, një automjet vjen sërish në zonë dhe marrin ekskavatorin, duke e dërguar shumë metra më larg.

Grupi i Fiks Fare filmon vendin ku e fshehin, ndërkohë në atë zonë vjen edhe një person, që pasi rri fshehur për disa minuta, shkon dhe tenton që të marrë ekskavatorin tjetër. Në momentin që ai shkon te ekskavatori, e pyesin se çfarë firme punon. Ai thotë se ka 2 ditë që punon dhe aty e ka çuar vëllai. E pyesin se inertet shkonin te pika e madhe, ndërsa përgjigjet se po.

Ndërkohë, gazetarët kishin lajmëruar policinë, sallën operative të Policisë në Peqin, ku lajmëruan edhe Drejtorin e Policisë së Elbasanit, gjithashtu edhe kreun e IKMT-së, Afrim Qendro, duke u dërguar foto, video dhe vendin ku po gërryhej. Policia vonoi për të ardhur në vendngjarje, teksa personi që po qendronte i hipën eksavatorit të dytë dhe tenton të largohet. Pas më shumë se 2 orësh, në atë vend vjen patrulla e policisë. Në këtë moment, sapo eksavatoristi e shikon, e fik dhe hipën në një automjet BMW që po e priste. Mjeti kalon në arë, me shpejtësi dhe i kalon ngjitur patrullës së policisë, që çuditërisht nuk e ndalon.

Fiksi i bën me shenjë policisë që ta ndalojë, por asnjë prej tyre nuk reagon. Vijnë qetë e qetë, teksa sërish u themi se personat që po gërryenin ikën dhe ju si ndaluat. Njëri prej tyre tenton që t’i ndjekë, ndërkohë shefi i krimeve Altin Çelaj qëndron. Fiksi e pyet se përse nuk reaguan, nuk i ndaluan dhe bënë sikur nuk i panë. Ai thotë se nuk e kuptoi situatën. E pyesin nëse policia kishte apo jo info për gjithë këtë, na thotë jo dhe ai ka vetëm 2 muaj që është në atë zonë.

Pas shumë minutash vijnë edhe punonjësit e IKMT-së, edhe ata s’kishin dijeni. Fiksi i bën me dije punonjësve se është edhe një mjet tjetër dhe i dërgon te ai vend që e kishin “fshehur”. Policia dhe IKMT bëjnë verifikime. Grupi i Fiks Fare u bën me dije se inertet dërgohen te pika ngjitur, ndërkohë që shefi i krimeve u thotë se do të qëndroje në vendngjarje dhe se këtu do të vijnë ekspertët kriminalistë. Nuk shkon te pika e inerteve. Gazetarët i japin edhe targat e automjeteve dhe na thotë se do ti verifikojnë.

Veprimet e zyrtarëve shtetërore kanë qenë tepër të ngadalta, sidomos të policisë duke ngjallur dyshime se mund të kenë pasur dijeni për gjithë situatën. Të gjithë, policia, IKMT dhe IMT na thanë se do t’ju lajmërojmë për masat që do të marrim. Ndërkohë, deri në transmetimin e këtij investigimi, të gjitha institucionet nuk kanë reaguar.