Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Shqipëria e sotme, paralajmërimi – rreziku që vjen nga brenda
Në 155-vjetorin e lindjes
Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
23 tetor 1871 – 23 tetor 2026
“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë.” — Gjergj Fishta
Sot, në 155-vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar, ky paralajmërim i Fishtës na fton të ndalemi e të reflektojmë. A mund të jetë rreziku më i madh për një komb, jo vetëm ai që i kanoset nga jashtë, por edhe ai që lind brenda institucioneve të veta, nga papërgjegjësia, interesat personale e partiake, korrupsioni dhe dobësimi i besimit të qytetarëve te shteti? Kjo pyetje tingëllon veçanërisht e rëndësishme në një Shqipëri ku protestat studentore e qytetare të 3-muajve të kaluar, janë shoqëruar me kërkesa për ndryshime, shqetësime për arsimin dhe punësimin, akuza për korrupsion të lartë qeveritar
“Rreziku i mbrendshëm” — ka qenë ky titulli i një shkrimi të At Gjergj Fishtës, në revistën Hylli i Dritës. At Gjergj Fishta: Rreziku i përbrendshëm – Albspirit. (Artikulli i plotë). Një shekull më parë, kur shteti shqiptar ishte ende në hapat e tij të parë dhe e ardhmja e vendit ishte e pasigurt, Fishta drejtonte vëmendjen te një rrezik që, sipas tij, nuk vinte vetëm nga armiqtë jashtë kufijve, por edhe nga brenda shoqërisë dhe jetës shtetërore shqiptare. At Gjergj Fishta: “Rreziku i përbrendshëm” nga politika | Gazeta Telegraf. Sot, në 155-vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar, ky paralajmërim i Fishtës na fton të ndalemi e të reflektojmë. A mund të jetë rreziku më i madh për një komb, jo vetëm ai që i kanoset nga jashtë, por edhe ai që lind brenda institucioneve të veta, nga papërgjegjësia, interesat personale e partiake, korrupsioni dhe dobësimi i besimit të qytetarëve te shteti? Kjo pyetje tingëllon veçanërisht e rëndësishme në një Shqipëri ku protestat studentore e qytetare të 3-muajve të kaluar, janë shoqëruar me kërkesa për ndryshime, shqetësime për arsimin dhe punësimin, akuza për korrupsion të lartë qeveritar dhe përplasje të dhunshme në Tiranë e qytete të tjera. Nuk është fjala të pretendojmë se Fishta e parashikoi Shqipërinë e sotme. Është fjala të kuptojmë se disa probleme të jetës publike mund të përsëriten, edhe kur ndryshojnë koha, njerëzit dhe rrethanat politike. Dhe pikërisht këtu qëndron aktualiteti i paralajmërimit të At Gjergj Fishtës.

Mbi njatë Flamur, Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Për Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
(Gjergj Fishta: Himni i Flamurit Kombtar)
Historikisht, është e natyrshme që vëmendja e shteteve të përqendrohet te kërcënimet e jashtme. Por një shtet mund të dobësohet edhe nga mënyra se si qeveriset, nga cilësia e institucioneve të tij dhe nga marrëdhënia që klasa politike ndërton me qytetarët. Në shkrimin e tij, më shumë se një shekull më parë, Fishta kritikonte njerëzit që, sipas tij, përpiqeshin të përfitonin nga shteti pa pasur cilësitë morale e qytetare që kërkon shërbimi publik. Ai nuk e trajtonte rrezikun e brendshëm thjesht si çështje të armiqve politikë, por si problem të karakterit, të përgjegjësisë dhe të interesit kombëtar. Ky është një dallim thelbësor, sepse, rreziku i brendshëm nuk duhet kërkuar te çdo kundërshtar politik, te çdo protestues apo te çdo qytetar që ngre zërin kundër qeverisë. Në një demokraci të vërtetë, kundërshtimi politik dhe protesta paqësore janë, natyrisht, të drejta legjitime. Rreziku shfaqet kur interesi publik i nënshtrohet interesit personal, ose partiak. Kur institucionet humbasin pavarësinë, kur përgjegjësia zëvendësohet me justifikime dhe kur ligji perceptohet nga publiku si i ndryshëm për të fuqishmin dhe për qytetarin e zakonshëm. Një komb nuk dobësohet vetëm kur e sulmon armiku. Ai dobësohet edhe kur humbet besimin te drejtësia, te institucionet dhe te njerëzit që e drejtojnë. Kjo është një prej arsyeve pse shkrimi i Fishtës meriton të rilexohet sot, përball zhvilliemeve të fundit në Shqipëri.
Protestat e tetorit 2026 në Tiranë kanë nxjerrë në pah pakënaqësi që shkojnë përtej një çështjeje të vetme. Studentët dhe të rinjtë kanë shprehur shqetësime për kushtet e arsimit, kostot e studimeve, mundësitë e punësimit dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qevevrisë dhe të shoqërisë. Lëvizja është zgjëruar edhe në kërkesa më të gjëra politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestat janë shoqëruar edhe me përplasje, dëmtime pronash dhe përdorim të gazit lotsjellës e ujit me presion nga policia. Këto zhvillime kërkojnë një shqyrtim serioz të shkaqeve të pakënaqësisë, pa i ngatërruar të gjitha kërkesat qytetare me veprimet e dhunshme të individëve të caktuar. Kur studentët kërkojnë arsim më cilësor dhe mundësi të barabarta, pyetja nuk duhet të jetë vetëm kush qëndron pas protestës, por edhe cilat probleme i kanë shtyrë ata të dalin në rrugë. Kur qytetarët kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi, institucionet duhet t’u përgjigjen qytetarëve me fakte, dokumente dhe veprime konkrete. Kur ngrihen akuza për shkelje të ligjit, ato duhet të hetohen nga organet kompetente dhe të vlerësohen mbi bazën e provave.
Një demokraci e shëndetshme nuk i zgjidh problemet duke i shpallur të gjithë kritikët kundërshtarë të shtetit. Ajo i zgjidh ato duke dalluar kritikën legjitime nga shkelja e ligjit dhe duke garantuar që secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Nëse do të kërkonim sot një mësim të rëndësishëm nga paralajmërimi i Fishtës një shekull më parë, do të ishte nevoja për të dalluar shërbimin ndaj atdheut nga përdorimi i atdheut për interesa vetjake dhe partiake. fitorja në zgjedhje nuk e përjashton askënd nga detyrimi për të dhënë llogari.

Revista Hylli i Dritës, që promovonte interesat e Kombit shqiptar, ka botuar, fillimisht, shkrimin e At Gjergj Fishtës: “Rreziku i përbrendshëm”
Një demokraci e shëndetshme nuk i zgjidh problemet duke i shpallur të gjithë kritikët kundërshtarë të shtetit. Ajo i zgjidh ato duke dalluar kritikën legjitime nga shkelja e ligjit dhe duke garantuar që secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Nëse do të kërkonim sot një mësim të rëndësishëm nga paralajmërimi i Fishtës një shekull më parë, do të ishte nevoja për të dalluar shërbimin ndaj atdheut nga përdorimi i atdheut për interesa vetjake dhe partiake. E kam thënë shpesh, gjatë muajve të fundit, se shteti nuk është pronë e një partie, as institucionet nuk janë zgjatim i interesave personale të drejtuesve të tyre. Dhe fitorja në zgjedhje nuk e përjashton askënd nga detyrimi për të dhënë llogari. Pushteti demokratik është mandat dhe përgjegjësi, jo privilegj i pakufizuar i një personi ose një partie. Fishta nuk mund të shndërrohet në gjykatës të politikës së sotme. Por kritika e tij ndaj veseve të jetës publike në kohën e tij, na kujton se atdhetarizmi nuk matet me deklarata, por me sjelljen e pushtetarëve ndaj shtetit dhe qytetarëve. Është e lehtë të flasësh për kombin. Më e vështirë është të respektosh ligjin kur ai prek interesat e tua. Është e lehtë të kërkosh llogari nga kundërshtari. Më e vështirë është të pranosh llogaridhënien kur je vetë në pushtet. Është e lehtë të deklarosh se përfaqëson popullin. Më e vështirë është ta dëgjosh atë, kur kërkesat e tij nuk përputhen me planet e tua. Këtu fillon edhe prova e vërtetë e përgjegjësisë publike. Protesta paqësore nuk është rrezik për atdheun. Në një lexim të gabuar të historisë, paralajmërimi për rrezikun e brendshëm mund të përdoret për të etiketuar si armiq të vendit ata që kundërshtojnë qeverinë. Kjo do të ishte në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë. Studentët dhe qytetarët që protestojnë, paqësisht, nuk janë, për këtë arsye, armiq të Shqipërisë. Rreziku i vërtetë për demokracinë është kur ligji humbet besueshmërinë, kur dhuna zë vendin e dialogut dhe kur pushteti e qytetari nuk dëgjojnë njëri-tjetrin.
Në këtë 155-vjetor të lindjes së Fishtës, paralajmërimi i tij nuk duhet drejtuar vetëm ndaj qeverisë së sotme. Ai duhet të shërbejë si rast reflektimi për të gjithë klasën politike shqiptare të këtyre 35-viteve tranzicion. Në përvjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës nuk mjafton të përmendim emrin e tij. Duhet të pyesim veten nëse jemi të gatshëm ta mbrojmë Shqipërinë nga rreziqet që mund ta dobësojnë nga brenda e që janë korrupsioni i provuar, papërgjegjësia publike, kapja e institucioneve, përçarja politike dhe humbja e besimit te drejtësia. Duhet gjithashtu të kuptohet se ky rrezik nuk luftohet duke shtypur zërin e qytetarëve, ose të medias e fjalës së lirë ose duke etiketuar kundërshtarët apo duke zëvendësuar provat me akuza. Rreziku i brendshëm luftohet me institucione të forta, me transparencë, me ligje të barabartë dhe me qytetarë që marrin pjesë në mënyrë paqësore e të përgjegjshme në jetën publike të vendit.
Paralajmërimi i Fishtës, i lexuar në kontekstin e kohës së tij, na fton të shohim përtej zhurmës politike dhe të kërkojmë shkaqet e vërteta të dobësimit të një shteti. Sepse një komb nuk rrezikohet vetëm nga armiqtë që i shfaqen përballë. Rrezikohet edhe kur ata që duhet t’i shërbejnë e harrojnë përgjegjësinë e tyre ndaj votuesve, por edhe kur qytetarët humbasin besimin se drejtësia mund të vihet në vend e sidomos, kur brezi i ri nuk sheh mundësi për të ndërtuar të ardhmen në atdheun e vet.
Në 155-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, le ta kujtojmë «Rrezikun e mbrendshëm» jo si një etiketë për kundërshtarët politikë, por si një thirrje për vetëkritikë kombëtare. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë armiq të shpallur. Ka nevojë për më shumë përgjegjësi kombëtare dhe politike, për më shumë drejtësi dhe më shumë respekt për qytetarin nga ana e institucioneve të qeverisë dhe të shtetit. Sepse atdheu nuk mbrohet duke heshtur përballë problemeve dhe padrejtësive. Atdheu mbrohet duke i zgjidhur ato. Në këtë 155-vjetor të lindjes, trashëgimia e At Gjergj Fishtës nderohet jo vetëm duke lexuar fjalët e tij sot — më shumë se një shekull më vonë — por duke marrë seriozisht pyetjen: nëse me veprat e saj, klasa politike shqiptare po e forcon Shqipërinë si shtet, apo po e dobëson dhe po shkatërron shtetin nga brenda? Para se të jetë vonë, Kombi shqiptar ka nevojë për një këthesë të re historike, me njerëz të ri dhe me përfaqësues ndryshe! E kam thenë edhe herë tjera se, Demokracia nuk pret. Frank Shkreli: Nga paralajmërimi “Demokracia nuk pret”, te zgjimi qytetar dhe alarmi: Demokracia në rrezik!| Gazeta Telegraf, Kur qytetarët dalin në rrugë për muaj të tërë, mesazhi i tyre është i qartë dhe nuk mund të shpërfillet më. Shqipëria ka nevojë për një kthesë të vërtetë politike, institucionale dhe morale. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf


