Egnatia ende e pamposhtur në Europë, rrogozhinasit marrin një pikë në transfertën e vështirë në Danimarkë
Egnatia vazhdon të mbetet e pamposhtur në aventurën europiane. Skuadra rrogozhinase ka barazuar 1-1 në transfertën e vështirë ndaj Aarhusit në Danimarkë, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Kampionët e Shqipërisë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 13-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Adjesa shërbeu për Grudën, i cili u tregua i saktë përballë portierit kundërshtar, duke dërguar topin në rrjetë.
Situata u bë edhe më e favorshme për Egnatian në minutën e tretë, kur Aarhusi mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Kahl, i cili ndali në mënyrë të parregullt Grudën, teksa sulmuesi ishte nisur drejt portës.
Me epërsinë numerike dhe avantazhin në rezultat, Egnatia kontrolloi lojën në pjesën e parë, duke krijuar edhe mundësi të tjera për të dyfishuar shifrat. Gruda dhe Kryeziu provuan disa herë portën, por pa arritur të shënonin golin e dytë.
Megjithatë, pjesa e dytë nisi në mënyrën më të keqe për skuadrën shqiptare. Menjëherë pas rifillimit, Aarhusi rrezikoi portën e Dajsinanit, ndërsa në minutën e 49-të Bogere realizoi golin e barazimit, duke rikthyer ekuilibrin në rezultat.
Pas golit të pësuar, Egnatia u përpoq të reagonte dhe kërkoi sërish avantazhin. Rrogozhinasit krijuan disa raste të rrezikshme, me Grudën që provoi disa herë me kokë, por portieri vendas u përgjigj me pritje vendimtare.
Edhe në minutat e fundit, Egnatia vijoi të kërkonte golin e fitores, por rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare.
Kështu, skuadra e Egnatias largohet nga Danimarka me një pikë të rëndësishme, duke ruajtur serinë e ndeshjeve pa humbje në Europë.
Rezultati:
Aarhus 1-1 Egnatia
49′ Bogere / 13′ Gruda
Formacionet Zyrtare:



