Opinion

Prof.Dr. Arben Cici: Si u hodhën themelet e krizës së thellë demokratike në Shqipëri. Sot është ende 22 prill 2008

Ajo që po përjeton Shqipëria sot nuk është thjesht krizë e një qeverie. Është krizë e një sistemi politik që, prej vitesh, ka punuar për të përqendruar pushtetin, për të mbyllur konkurrencën dhe për ta larguar qytetarin nga vendimmarrja.Demokracia nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve. Ajo matet edhe me mundësinë reale për të sfiduar pushtetin, për të konkurruar brenda partive dhe për ta kontrolluar qeverinë.

Ajo që po përjeton Shqipëria sot nuk është thjesht krizë e një qeverie. Është krizë e një sistemi politik që, prej vitesh, ka punuar për të përqendruar pushtetin, për të mbyllur konkurrencën dhe për ta larguar qytetarin nga vendimmarrja.

Kriza, filloi më 21 prill 2008, falë ndryshimeve kushtetuese të mesnatës,që ndryshuan rrënjësisht arkitekturën e përfaqësimit politik në Shqipëri.

Aty nuk u ndryshuan vetëm disa nene të Kushtetutës, por ndryshuan rregullat e lojës politike. Dhe, kur rregullat e lojës hartohen nga ata që kanë pushtetin, pyetja e parë që duhet bërë është e thjeshtë: kush fitoi më shumë pushtet dhe kush e humbi atë?

22 prill është çdo ditë që erdhi pas 21 prillit 2008. Është simboli i një realiteti që vazhdon, për sa kohë qytetarët mbeten të përjashtuar nga vendimmarrja e vërtetë.

  1. Përqendrimi i pushtetit te kryetarët e partive

Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 u miratuan me konsensusin e kryetarëve të të dy forcave kryesore politike të kohës, Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe Edi Rama i Partisë Socialiste, që përfaqësonin dy polet kryesore të pushtetit politik shqiptar.

Këto ndryshimet dhe mënyra se si u zhvillua më pas jeta politike forcuan rolin e kryetarëve të partive. Vendimmarrja u përqendrua gjithnjë e më shumë në duart e një rrethi të ngushtë njerëzish, ndërsa institucionet humbën një pjesë të pavarësisë së tyre.

Kalimi drejt sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura solli një ndryshim thelbësor në marrëdhënien e përfaqësuesit me pushtetin duke e rritur rëndësinë e partive dhe të drejtuesve të tyre në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Në vend të partive demokratike, me debat dhe konkurrencë të brendshme, u konsolidua modeli i partive të kontrolluara nga lart.

  1. Kryetari i partisë: nga drejtues politik në qendër të pushtetit

Në një demokraci normale, kryetari i partisë është drejtues i një organizate politike. Ai duhet të fitojë mbështetjen e anëtarëve, të përballet me rivalë të brendshëm, të japë llogari për humbjet dhe të largohet kur humbet besimin e partisë.

Në modelin shqiptar, megjithatë, është konsoliduar prirja drejt personalizimit të pushtetit partiak.

Kryetari nuk është më thjesht personi që drejton partinë. Ai është bërë porta kryesore dhe e vetme për hyrjen në parlament, për karrierën politike dhe për shpërndarjen e mundësive brenda organizatës.

Kjo është logjika e sistemi të personalizuar shqiptar.

Demokracia nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve. Ajo matet edhe me mundësinë reale për të sfiduar pushtetin, për të konkurruar brenda partive dhe për ta kontrolluar qeverinë.

Nëse këto mundësi dobësohen, si në Shqipëri, zgjedhjet mund të vazhdojnë të zhvillohen, por cilësia e demokracisë shpërbëhet.

Parlamenti është shndërruar nga institucioni që kontrollon pushtetin ekzekutiv në një institucion që i shërben shumicës së drejtuar nga kryetari i partisë. pakënaqësia ndaj qeverisë është shumë e madhe dhe e ligjshme, por pakënaqësia ndaj gjithë klasës politike është edhe më e thellë.

  1. Dobësimi i Parlamentit

Parlamenti duhet të jetë qendra e debatit, e kontrollit të qeverisë dhe e përfaqësimit të interesit publik. Kur vendimet përcaktohen paraprakisht nga drejtuesit partiakë, roli i deputetëve dhe i debatit parlamentar dobësohet. Institucioni rrezikon të kthehet nga një hapësirë e pavarur vendimmarrjeje në një mekanizëm që miraton marrëveshjet e arritura jashtë tij.

Këtu qëndron një nga problemet më të rënda të modelit të sotëm politik shqiptar: parlamenti është shndërruar nga institucioni që kontrollon pushtetin ekzekutiv në një institucion që i shërben shumicës së drejtuar nga kryetari i partisë.

  1. Konsolidimi i një sistemi të mbyllur politik

Kur partitë kryesore kontrollohen nga drejtues të fuqishëm dhe konkurrenca e brendshme kufizohet, qytetarët kanë gjithnjë e më pak mundësi të ndikojnë në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.

Zgjedhjet mbeten të domosdoshme, por nuk mjaftojnë vetvetiu për të garantuar demokracinë. Demokracia kërkon alternativa reale, llogaridhënie dhe mundësi që qytetarët të ndryshojnë jo vetëm qeverinë, por edhe mënyrën se si ushtrohet pushteti.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i krizës së përfaqësimit në Shqipëri: pakënaqësia ndaj qeverisë është shumë e madhe dhe e ligjshme, por pakënaqësia ndaj gjithë klasës politike është edhe më e thellë.

  1. Kryeministri dhe përqendrimi i pushtetit ekzekutiv

Qeveria duhet të ushtrojë pushtetin në përputhje me Kushtetutën dhe nën kontrollin e institucioneve demokratike.

Por, kur shumica parlamentare dhe strukturat partiake varen nga një drejtues i vetëm, kontrolli institucional rrezikon të dobësohet. Pushteti ekzekutiv fiton hapësirë më të madhe, ndërsa mekanizmat që duhet ta kufizojnë atë bëhen të papërfillshëm.

Problemi nuk është vetëm kush qeveris, por edhe sa mundësi kanë qytetarët dhe institucionet për ta kontrolluar qeverisjen.

Një kryeministër nuk ka nevojë të ndryshojë çdo ditë Kushtetutën për të përqendruar pushtetin. Mjafton që institucionet që duhet ta kufizojnë të mos kenë vullnetin, pavarësinë ose kapacitetin për ta bërë këtë.

Ky është rasti i Shqipërisë.

  1. Presidenti, një zgjatim i shumicës dhe pushtetit dhe ekuilibri kushtetues

Një nga dështimet më domethënëse të mekanizmit të zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri është se prodhon jo një garantues të Kushtetutës dhe të ekuilibrave demokratikë, por një President të dobët në aspektin institucional dhe moralisht të pafuqishëm përballë shumicës që e ka zgjedhur, duke e kthyer atë në një figurë të nënshtruar ndaj vullnetit politik të saj.

Kur kreu i shtetit zgjidhet përmes vullnetit të një shumicë parlamentare dhe më pas sillet si i detyruar t’i bindet asaj, institucioni humbet pikërisht arsyen kushtetuese të ekzistencës së tij. Presidenti aktual është një shembull domethënës i këtij problemi, pasi gjatë gjithë ushtrimit të detyrës nuk ka dëshmuar në mënyrë bindëse aftësinë për t’u shkëputur nga logjika e palëve politike dhe për të mishëruar rolin e një arbitri institucional mbi to.

Presidenti i Shqipërisë nuk e ka ushtruar asnjëherë gjatë viteve të mamdatit të tij legjitimitetit politik e institucional. Pikërisht kjo sjellje e ka përjashtuar atë nga një figurë lokale e pavarur, e paanëshme, e pranueshme nga të gjitha palët, një figurë dinjitoze që do të mund të negocionte zgjidhjen e krizës së thellë që po jeton Shqipëria.

Një opozitë që kërkon vetëm të marrë pushtetin nuk është domosdoshmërisht përgjigjja ndaj një krize të sistemit. Përgjigjja është një alternativë që tregon se pranon të kufizojë edhe pushtetin e vet.Kur një sistem politik pengon në mënyrë të vazhdueshme përfaqësimin dhe llogaridhënien, protesta nuk është thjesht një mundësi: ai bëhet një domosdoshmëri demokratike.

  1. Pasojat për shoqërinë shqiptare: emigracioni, korrupsioni dhe humbja e shpresës

Një sistem politik që nuk ofron përfaqësim të besueshëm ushqen zhgënjimin, mosbesimin dhe ndjenjën e pafuqisë.

Korrupsioni, klientelizmi, largimi i të rinjve dhe humbja e shpresës nuk mund të shpjegohen vetëm nga një shkak. Megjithatë, institucionet e dobëta dhe mungesa e llogaridhënies krijojnë kushte që këto probleme të thellohen.

Kur qytetarët nuk besojnë se mund ta ndryshojnë realitetin përmes mekanizmave demokratikë, një pjesë e tyre zgjedh të largohet, ndërsa të tjerë të tërhiqen nga jeta publike.

Një shoqëri nuk humbet shpresën vetëm kur varfërohet. Ajo e humbet shpresën edhe kur bindet se puna, aftësia dhe ndershmëria nuk mjaftojnë për të ndryshuar fatin e saj.

Kjo është shoqëria shqiptare sot.

  1. Politika si pronë e një rrethi të ngushtë

Partitë politike duhet të jenë hapësira ku qytetarët bashkohen rreth ideve dhe programeve për të mirën publike.

Kur besnikëria personale, lidhjet familjare dhe interesat e ngushta zënë vendin e meritës dhe të konkurrencës së ndershme, politika humbet karakterin e saj publik.

Pasojat janë të rënda: institucionet dobësohen, mundësitë nuk shpërndahen sipas aftësive dhe qytetarët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja.

Nëse partitë që garojnë për të qeverisur shtetin nuk funksionojnë vetë në mënyrë demokratike, ekziston rreziku që të njëjtin model ta riprodhojnë edhe në institucionet shtetërore.

Kjo ka ndodhur në Shqipëri.

  1. Ndryshimi i sistemit dhe roli i qytetarëve

Kur pakënaqësia qytetare drejtohet kundër një qeverie, zgjidhja politike mund të duket relativisht e qartë: zgjedhje, rotacion dhe një shumicë e re.

Por kur pakënaqësia drejtohet kundër të gjithë sistemit politik, kemi të bëjmë me një krizë tjetër.

Nëse një pjesë e shoqërisë arrin në përfundimin se as qeveria dhe as opozita nuk ofrojnë një rrugë bindëse për ndryshim, atëherë kriza nuk mund të zgjidhet vetëm duke ndërruar njërën me tjetrën.

Duhet të ndryshojnë edhe rregullat dhe praktikat që e bëjnë pushtetin të vështirë për t’u kontrolluar dhe për ta përmbysur.

Kjo nuk do të thotë se të gjitha partitë janë identike, se përgjegjësia e qeverisë dhe e opozitës është gjithmonë e barabartë apo se çdo protestë shpreh të njëjtin qëndrim politik. Përgjegjësia e qeverisë është gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe më e madhe përballë qytetarit sepse ajo zotëron të gjitha mekanizmat për të lehtësuar pasojat e krizës ekonomike, finaciare, krizës së besimit dhe të përfaqësimit.

Sjellja e qeverisë ndikon drejtpërdrejt në thellimin ose zbutjen e rrezikut të përçarjes sociale dhe precipitimit drejt një konflikti të hapur me pasoja shkatëruese për shoqërinë.

Fatkeqësisht ky rrezik nuk po ndalet sot në Shqipëri!

Kur kriza e besimit bëhet sistemike, asnjë forcë politike nuk mund të kërkojë besim vetëm duke u paraqitur si kundërshtare e qeverisë. Ajo duhet të tregojë se çfarë do të ndryshojë në mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

Një opozitë që kërkon vetëm të marrë pushtetin nuk është domosdoshmërisht përgjigjja ndaj një krize të sistemit. Përgjigjja është një alternativë që tregon se pranon të kufizojë edhe pushtetin e vet.

21 prilli: nga kujtesa historike te domosdoshmëria e protestës qytetare

Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe një mënyrë legjitime për t’u kërkuar llogari atyre që ushtrojnë pushtetin.

Kur institucionet nuk i dëgjojnë qytetarët, kur përfaqësimi dobësohet dhe kur rrugët e zakonshme të llogaridhënies nuk japin rezultat, protesta bëhet një mjet i domosdoshëm për të rikthyer vëmendjen te vullneti qytetar.

Ajo nuk duhet parë si kërcënim ndaj demokracisë, por si përpjekje për ta mbrojtur dhe për ta bërë atë funksionale.

Kur një sistem politik pengon në mënyrë të vazhdueshme përfaqësimin dhe llogaridhënien, protesta nuk është thjesht një mundësi: ai bëhet një domosdoshmëri demokratike.

21 prilli 2008 nuk duhet të mbetet vetëm një datë në kalendarin politik shqiptar. Ai duhet të shërbejë si pikënisje për të kuptuar se si vendimet institucionale mund të ndikojnë për një kohë të gjatë në cilësinë e demokracisë.

22 prill është çdo ditë që ka ardhur pas 21 prillit 2008. Është simboli i vazhdimësisë së një krize që nuk kapërcehet vetëm me ndërrimin e emrave apo të qeverive, por me ndryshimin e rregullave, të institucioneve dhe të marrëdhënies mes pushtetit dhe qytetarëve.

Shqipëria ka nevojë për një demokraci ku partitë u përkasin anëtarëve të tyre, deputetët u përgjigjen zgjedhësve, institucionet janë të pavarura dhe pushteti kontrollohet nga ligji dhe qytetarët.

Për këtë arsye, protesta e gjatë qytetare për ndryshimin e një sistemi që nuk garanton përfaqësim dhe llogaridhënie është e ligjshme, legjitime dhe e domosdoshme. Ajo është një shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe një mjet për të kërkuar një demokraci më të drejtë e më funksionale.

E ardhmja nuk është e detyruar të jetë një vazhdim i pafund i së shkuarës. Ajo mund të ndryshojë kur qytetarët vendosin të mos jenë më spektatorë të fatit të tyre, por pjesëmarrës aktivë në ndërtimin e demokracisë që meritojnë.

Kjo është Shqipëria sot!