Opinion

Laureta Petoshati: Frankenstein-i politik i Edi Ramës dhe teorema e dy policëve

Frankenstein-i mendoi se do ta kontrollonte krijesën e vet. Por çfarë ndodh kur krijesa bëhet më e rrezikshme për krijuesin sesa për kundërshtarët e tij? A do të jetë protesta ajo që do të kërkojë largimin e Ramës, apo do të jetë vetë pesha e Frankenstein-it politik të tij që do ta detyrojë të përballet me pasojat e pushtetit të tij? Që të dyja bashkë do ta thyejnë në mes.

Në romanin “Frankenstein” të Mary Shelley-t, shkencëtari Viktor Frankenstein krijon një njeri përbindësh duke bashkuar pjesë trupi të marra nga njerëz vdekur si kriminelë të dënuar me pushkatim, por më pas humbet kontrollin mbi krijesën e vet. Një metaforë që mund të përdoret për të analizuar qeverisjen e Edi Ramës, i cili, pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, promovoi në politikë dhe në institucione figura që më vonë u përballën me probleme serioze ligjore, si Elvis Rroshi, Armando Prenga, Arben Ndoka, etj. Me kalimin e viteve, skandale dhe hetime prekën edhe nivele të larta të qeverisjes, njerëz të zgjedhur me dorë nga vetë Edi Rama, por që sipas tij “hanin kumbulla mbas kurrizit të tij.” Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua për shpërdorim detyre, Lefter Koka u dënua në çështjen e inceneratorëve, ndërsa Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër, u dërgua për gjykim për akuza që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Edhe figura të tjera të rëndësishme, përfshirë Ilir Beqajn dhe Belinda Ballukun, u përballën dhe ende po përballen me procedime penale dhe hetime të SPAK-ut. Këtu nuk duhen harruar dhe ish kryebashkiakët socialistë të afërt me Ramën si Vangjush Dako, ish-kryebashkiak i Durrësit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Lefter Alla, ish-Kryetar i Bashkisë Bulqizë, Fran Tuci, ish-kryetar i bashkisë së Fushë-Arrzit, Edison Memolla ish-kryetar i bashkisë së Rrogozhinës, Kreshnik Hajdari, ish-kryebashkiaku i Kuçovës, si dhe së fundmi Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg dhe prej andej kryen funksionet si kryebashkiak i Tiranës.

Po ashtu, gjatë qeverisjes së Edi Ramës shumë drejtorë të rëndësishëm të administratës shtetërore dhe ish-drejtues institucionesh janë arrestuar ose dënuar me burg për vepra që lidhen kryesisht me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve si Drejtorët e Kadastrës (ASHK), ish Drejtorët e Burgjeve si Arben Çuko (ish-deputet i PS) dhe ish-drejtues të tjerë rajonalë si në Shënkoll apo Durrës, apo ish-drejtues të rëndësishëm të ndërmarrjeve të Bashkisë Tiranë si rasti i dosjes “5D”, ish-drejtues të Postës Durrës, si dhe ish-zyrtarë të lartë të ministrive të ndryshme të përfshirë në aferat e inceneratorëve dhe tenderave të rrugëve (si ARRSH).

Ndërkohë, emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH-it dhe çështjet e raportuara që lidhen me të dhe me Ergys Agasin e kanë shtuar vëmendjen ndaj marrëdhënieve mes pushtetit dhe institucioneve të sigurisë e të drejtësisë.

Të gjithë këta njerëz të vendosur tashmë nën prangat e drejtësisë, kanë krijuar një organizëm kriminal më të keq se përbindëshi që krijoi Viktor Frankenstein. Përbindëshi i Frankenstein është metaforë letrare, ndërsa përbindëshi Rama në realitet është metafora e një sistemi pushteti që akuzohet për klientelizëm, korrupsion dhe kapje të institucioneve. Është ky përbindësh, që si vampir i ka pirë gjakun popullit duke i marrë nga inceneratori i Tiranës 430 milionë €, nga inceneratori i Fierit 28-40 milionë €, nga inceneratori i Elbasanit 22-53 milionë €, nga koncesioni i dializës 86-120 milionë €, nga tuneli i Llogarait 170-190 milionë €, nga Unaza e Madhe e Tiranës 433 milionë €, nga Kompania 5D 11 milionë €, nga AKSHI 430 milionë €, etj.

Pra përbindëshi, nuk është populli që proteston dhe që kryeministri e quan “turmë e verbër”, “turmë dhunuesish urbanë”, “mishmash kategorish”, “të paguar nga krimi i organizuar”, “kriminelë”, “shkatërrues” dhe “instrumente të urrejtjes”.

Qytetarët që u ngritën me Revolucionin e Flamingove, studentët dhe të gjithë ata që kërkojnë transparencë e përgjegjësi janë kundërshtarët e këtij përbindëshi, jo pjesë e tij. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës buron nga bindja se përgjegjësia politike duhet të shkojë deri në majën e pushtetit. Madje protestuesve po u bashkohet dhe mllefi i përbindëshit, që fillon ta urrejë krijuesin e vet që e braktisi dhe e futi në qeli. Këtu futet rasti i Erion Veliajt që provokoi Ramën dhe u dërgua në burgun e Fierit. Madje këtu qëndron paradoksi i Frankenstein-it politik: krijuesin mund ta rrëzojë jo vetëm protesta, por edhe pesha e krijesës së vet. Një sistem i ndërtuar për të konsoliduar pushtetin mund të kthehet në rrezikun më të madh për atë që e ndërtoi.Në fund, mund të huazojmë nga matematika teoremën e dy policëve, ( teorema e shtrëngimit, ose Sandwich teorem) si metaforë politike. Supozojmë se dy policët janë Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, dy ish-zëvendëskryeministra të përballur me çështje penale. Sipas kësaj teoreme nëse dy policët do të shkonin në burg, atëherë ai që është në mes të tyre do të shkonte në burg. Pra Rama do të shkonte në burg. Ky nuk është një përfundim që e garanton matematika, por një përfundim logjik dhe politik mbi përgjegjësinë e krijuesit për sistemin që ka ndërtuar. Pikërisht çështja Balluku dhe përplasja me drejtësinë për mos-heqjen e imunitetit të saj nga kartonat e deputetëve të Ramës kanë tërhequr edhe vëmendjen e dy ligjvënësve amerikanë që iu drejtuan Sekretarit të Shtetit Marco Rubio për çështje që lidhen me Shqipërinë dhe luftën kundër korrupsionit duke e cituar me emër rastin e Belinda Ballukut.

Frankenstein-i mendoi se do ta kontrollonte krijesën e vet. Por çfarë ndodh kur krijesa bëhet më e rrezikshme për krijuesin sesa për kundërshtarët e tij? A do të jetë protesta ajo që do të kërkojë largimin e Ramës, apo do të jetë vetë pesha e Frankenstein-it politik të tij që do ta detyrojë të përballet me pasojat e pushtetit të tij? Që të dyja bashkë do ta thyejnë në mes.