Rama: Studentët kërcënohen nëse nuk u bashkohen protestave, kam marrë mesazhe nga prindërit që kërkojnë ndihmë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka marrë mesazhe shqetësuese nga studentë dhe prindër, të cilët i kanë kërkuar ndihmë për shkak të kërcënimeve dhe presionit që, sipas tyre, po përjetojnë në ambientet shkollore dhe universitare.
Gjatë fjalës së tij në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se disa studentë kanë kërkuar që identiteti i tyre të mbetet anonim, pasi kanë frikë të flasin hapur. Ai bëri të ditur se ka marrë gjithashtu mesazhe nga prindër që ndihen të pafuqishëm përballë situatës që po përjetojnë fëmijët e tyre.
Kryeministri kritikoi atë që e cilësoi si intimidim dhe kërcënim ndaj të rinjve që nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me protestuesit, duke theksuar se askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes pjesëmarrjes në protesta dhe përballjes me dhunën.
“Nuk e kam menduar ndonjëherë që do jetoja në një Shqipëri ku frika për të folur do ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë, dhe nëse ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj, të kërcënoj dhe të vendos para një zgjedhjeje, që është zgjedhje dramatike. Ose të jesh me mua, të mos vish në mësim, ose të jesh target i dhunës sime. Kam 10 mesazhe të studentësh që më kërkojnë të jenë anonim se kanë frikë. Kam 10 mesazhe të prindërve të këtyre studentëve që kërkojnë ndihmë sepse ndjehen të pafuqishëm”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se fëmijët e këtyre familjeve po përballen me kërcënime përmes një gjuhe që ai e cilësoi kriminale. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të angazhuara në mbrojtjen e fëmijëve që të ofrojnë mbështetje për të rinjtë dhe familjet e tyre.
“Fëmijët e tyre janë të kërcënuar me një gjuhë që është kriminale. Ne presim një ndihmë nga të gjithë ju që jeni të angazhuar në një front të heshtur, por shumë të dobishëm për cilësinë e jetës dhe nevojën për mbështetje të fëmijëve dhe familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore”, shtoi kryeministri.


