Kaos në futbollin brazilian, jepen 53 kartonë të kuq në një ndeshje, thyhet rekordi botëror
Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur futbollin brazilian, ku një ndeshje e kampionatit U-20 është kthyer në një arenë përleshjesh masive. Arbitri është detyruar të nxjerrë plot 53 kartonë të kuq, duke regjistruar një rekord të ri në historinë e futbollit.
Incidenti ndodhi gjatë gjysmëfinales së parë të kampionatit të shtetit të Minas Gerais, mes skuadrave Uberlândia dhe Mamoré. Takimi, i cili përfundoi në kaos, ishte duke u luajtur me rezultatin 3-1 në favor të Mamoré, kur situata doli jashtë kontrollit.
Shkëndija e sherrit ishte festa e lojtarit Davi, i cili pas shënimit të golit të tretë provokoi stolin kundërshtar. Kjo shkaktoi reagimin e pjesëtarëve të stafit të Uberlândia, ndërsa trajneri i portierëve, Paulo Sérgio Dias dos Santos, hyri në fushë dhe u përplas me lojtarin kundërshtar.
Në pak çaste, konflikti u përhap në të gjithë fushën, duke përfshirë futbollistët, zëvendësuesit dhe pjesëtarët e stafeve teknike. Madje, në përleshje u përfshinë edhe disa nga djemtë që shërbenin si mbledhës topash.
Bilanci ishte i frikshëm: 43 futbollistë, 8 pjesëtarë të stafit teknik dhe 2 drejtues të klubit u ndëshkuan me karton të kuq, duke e çuar numrin total në 53.
Arbitri Fernando Patrick Drosghic Modesto u detyrua të ndërpriste përfundimisht takimin, pasi situata ishte bërë e pakontrollueshme dhe nuk garantoheshin kushtet e sigurisë. Ndeshja ishte ndërprerë më herët për rreth 40 minuta, pas një tjetër incidenti në fushë.
Përmasat e sherrit nuk u kufizuan vetëm në fushën e lojës. Sipas raportimeve, në stadium u shkaktuan dëme të konsiderueshme, me dyer, dritare, dushe dhe ambiente të tjera të dëmtuara. Për situatën u angazhua edhe policia ushtarake, ndërsa arbitri raportoi se kishte marrë kërcënime.
Ky episod tejkalon rekordin e mëparshëm prej 36 kartonësh të kuq, të regjistruar në vitin 2011 në një ndeshje të kategorisë së pestë në Argjentinë, mes Atlético Claypole dhe Victoriano Arenas.
Ndërkohë, Uberlândia vendosi të tërhiqej nga ndeshja e kthimit, në një gjest që klubi e cilësoi si “fair play”, pasi Mamoré kishte mbetur me vetëm shtatë lojtarë të gatshëm për shkak të pezullimeve. Kështu, Mamoré siguroi kalimin në finalen e kompeticionit.


