Sport

Amar Dediç ndalohet nga policia pasi u pa me hark dhe shigjeta në periferi të Newcastle

Mbrojtësi i Newcastle United, futbollisti boshnjak Amar Dediç, është ndaluar nga policia angleze pasi u pikas duke mbajtur një hark dhe shigjeta në një zonë rurale në Northumberland, pranë Newcastle.

Ngjarja ndodhi të mërkurën, më 4 nëntor, pasi një qytetar shqetësuar njoftoi policinë se kishte parë dy persona duke lëvizur me hark dhe shigjeta pranë një rezervuari uji në zonën Harlow Hill.

Sipas raportimeve të mediave britanike, në vendngjarje u dërguan rreth gjashtë automjete policie, përfshirë edhe njësi të armatosura.

Policia arriti të ndalonte automjetin ku udhëtonin Dediç dhe një mik i tij në zonën Darras Hall, rreth 11 kilometra larg vendit ku ishin parë fillimisht.

Oficerët kontrolluan automjetin dhe sekuestruan harkun dhe shigjetat.

Policia: Nuk përbënin rrezik për publikun

Në një deklaratë zyrtare, policia e Northumbria-s konfirmoi ndërhyrjen dhe bëri të ditur se pajisjet dyshohej se përdoreshin për qëllime argëtimi.

“Rreth orës 13:55 të së mërkurës, morëm një njoftim për dy persona që mbanin një hark dhe shigjeta, ndërsa ecnin përgjatë një shtegu pranë rezervuarit në zonën Harlow Hill.

Oficerët ndërhynë dhe më pas ndaluan një automjet në zonën Darras Hall, ku sekuestruan harkun dhe shigjetat.

Në këtë fazë, kuptohet se pajisjet ishin për përdorim rekreativ dhe nuk kishte asnjë kërcënim për publikun. Hetimet vijojnë”, thuhet në deklaratën e policisë.

Sipas BBC Sport, Dediç ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet dhe nuk kishte qëllime të këqija.

Një rastësi e pazakontë: Dy futbollistë të tjerë të Newcastle në vendngjarje

Ngjarja mori një kthesë të veçantë kur në vendin ku policia po merrej me Dediçin mbërritën edhe portieri i Newcastle, Mark Gillespie, dhe ish-mbrojtësi i klubit, Paul Dummett.

Dy futbollistët ndodheshin rastësisht në atë zonë dhe ndaluan për të ofruar ndihmën e tyre.

A do të ndëshkohet nga Newcastle?

Dediç, 24 vjeç, iu bashkua Newcastle United në gusht, duke ardhur nga Benfica për një shumë që raportohet rreth 30 milionë paund.

Sipas raportimeve të mediave angleze, klubi nuk pritet të marrë masa disiplinore ndaj futbollistit.

Gjithashtu, ai pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e ardhshme të Newcastle kundër Fulhamit.

Duhet theksuar se në Britaninë e Madhe zotërimi dhe përdorimi rekreativ i harkut dhe shigjetave nuk është i paligjshëm, ndërsa gjuetia e kafshëve me këto mjete është e ndaluar.

Hetimet e policisë për incidentin vijojnë.