Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit, militanti demokrat sulmon qytetarin pas thirrjes “Berisha në burg”
Një incident fizik është regjistruar gjatë protestës në Tiranë, ku një mbështetës i Partisë Demokratike dyshohet se ka sulmuar një qytetar pas një thirrjeje kundër kreut të opozitës, Sali Berisha.
Sipas pamjeve dhe informacioneve nga protesta, qytetari ka thirrur “Berisha në burg”, duke shkaktuar reagimin e një prej protestuesve demokratë.
Ky i fundit është afruar drejt qytetarit, duke e goditur fizikisht dhe duke e ofenduar me fjalë të rënda.
Ngjarja ka ndodhur në një klimë të tensionuar, ku përplasjet mes studentëve, qytetarëve dhe mbështetësve të PD-së kanë shoqëruar protestën para Ministrisë së Arsimit.
Më herët, studentët kishin kundërshtuar përpjekjet e demokratëve për t’iu bashkuar tubimit të tyre, duke kërkuar që protesta të mos përdorej për qëllime partiake.
Në banderolat e tyre ishte shfaqur edhe mesazhi “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj të dy figurave politike.
Incidenti ka shtuar tensionet në protestë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Policia do të marrë masa për identifikimin dhe procedimin e personit të përfshirë në sulm.


