“Largohuni!”/ Protestuesit e PD-së tentojnë t’i bashkohen tubimit të studentëve, përplasje fizike mes pjesëmarrësve
Momente tensioni dhe përplasje fizike janë regjistruar gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku përfaqësues të Partisë Demokratike kanë tentuar t’i bashkohen tubimit të studentëve.
Të rinjtë kanë kundërshtuar afrimin e protestuesve demokratë, duke u kërkuar atyre të largohen dhe të mos ndërhyjnë në protestën e tyre.
Situata është tensionuar kur një grup protestuesish të PD-së është përpjekur të afrohet pranë studentëve, të cilët kishin krijuar më herët një kordon për të mos lejuar bashkimin e dy tubimeve.
Gjatë përplasjes janë dëgjuar thirrje të përsëritura “Largohuni!”, ndërsa mes pjesëmarrësve janë regjistruar edhe konfrontime fizike.
Studentët kanë kundërshtuar përfshirjen e partive politike në protestën e tyre, duke mbajtur edhe banderolën me mesazhin “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Ndërkohë, në zonë ndodhen forca të shumta policie, të cilat po monitorojnë situatën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Protesta e sotme po shoqërohet kështu jo vetëm me përplasjet mes studentëve dhe forcave politike, por edhe me debate mbi pavarësinë e tubimit dhe përpjekjet për të ruajtur karakterin e tij jashtë ndikimit partiak.


