Aktualitet

Dy protesta në Tiranë, demokratët marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar studentëve: “Rama në burg, Berisha në burg”

Tirana është përfshirë këtë të shtunë nga dy protesta paralele, njëra e organizuar nga studentët para Ministrisë së Arsimit dhe tjetra nga mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët kanë marshuar në drejtim të institucionit për t’iu bashkuar tubimit të të rinjve.

Demokratët janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit, ku studentët po protestojnë për kërkesat e tyre, ndërsa në duar mbajnë pankarta me mesazhe kundër klasës politike.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen është mesazhi i shkruar në pankartat e të rinjve: “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj të dy figurave kryesore të politikës shqiptare.

Bashkimi i dy tubimeve ka sjellë një tjetër zhvillim në protestën e zhvilluar në kryeqytet, ku studentët dhe përfaqësues të opozitës po shprehin pakënaqësitë e tyre përmes protestës.

Ndërkohë, në zonën përreth Ministrisë së Arsimit janë angazhuar forca të shumta policie për të monitoruar situatën dhe për të garantuar rendin publik.

Protesta zhvillohet në një klimë tensioni, pas përplasjeve dhe incidenteve të regjistruara gjatë tubimit të javës së kaluar.

Pritet të shihet nëse bashkimi i protestuesve do të sjellë zgjerimin e tubimit dhe çfarë qëndrimi do të mbajnë organizatorët në vijim.