Pa marrëveshje në Abu Dabi, përfundojnë bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë pas takimit dyorësh
Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara në Abu Dabi nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, kanë përfunduar sot pas një takimi që zgjati më pak se dy orë. Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione të qarta lidhur me rezultatet e negociatave.
Asnjëra nga palët nuk ka konfirmuar nëse gjatë këtyre bisedimeve është arritur ndonjë përparim. Këto ishin takimet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës që nga shkurti, në kuadër të përpjekjeve të reja të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, në Abu Dabi u zhvilluan edhe konsultime të veçanta me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Këto takime ishin të ndara nga negociatat trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Moska po pretendon se ka nën kontroll edhe gjysmën e territorit të Donbasit, i cili aktualisht kontrollohet nga Ukraina.
“Rusët thonë se tashmë kanë pushtuar gjysmën e Donbasit që ende kontrollohet nga ne. Ekipi ynë iu përgjigj: ‘Nuk e dime se nga dilni me pretendime të tilla.
Kemi pamje filmike, fotografi dhe dëshmi të tjera që tregojnë se këto territore janë ende nën kontrollin tonë’”, u shpreh Zelensky.
Presidenti ukrainas e cilësoi mospërputhjen mes pretendimeve të dyja palëve si një nga pengesat kryesore në negociata. Ai shtoi gjithashtu se kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, “jeton në një realitet tjetër”.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet ushtarake nuk u ndalën. Rusia ndërmori sulme të reja me dronë ndaj disa rajoneve të Ukrainës, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike, ndërtesa banimi, shkolla dhe kopshte fëmijësh.


